Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha ndodhet prej disa ditësh në një vizitë pune në Uashington. Gjatë javës janë publikuar foto dhe lajme të ndryshme mbi udhëtimin e tij matanë Atlantikut. Vetë Basha ka publikuar një video-mesazh nga Uashingtoni në të cilin solli edhe njëherë në vëmendje premtimin programor të forcës së tij politike për lëvizje të lirë të shqiptarëve në SHBA, pra heqjen e vizave, duke shtuar gjithashtu angazhimin për tërheqjen e investimeve amerikane, me qëllim krijimin e vendeve të reja të punës me paga dinjitoze në Shqipëri. Në mediat shqiptare është bërë gjithashtu e njohur se Lulzim Basha ka firmosur një kontratë pro bono (pra falas) me Sonoran Policy Group LLC, për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dokumenti është regjistruar në Departamentin e Drejtësisë së SHBA-së në kuadër të Aktit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA), marrëveshje e dakordësuar më 19 shkurt.
Në këtë kontratë, Lulzim Basha ka firmosur nën statusin “individ” dhe jo si përfaqësues i një partie politike apo qeverie të huaj. Objektivat e kësaj marrëveshje parashikojnë “Rritja e ndërgjegjësimit për sfidat e Shqipërisë në rrugën e saj për të siguruar sundimin e ligjit, një demokraci funksionale, dhe mbrojtjen e lirive themelore, vëmendje e veçantë në luftën kundër korrupsionit dhe të organizuar krimi si dhe përmirësimi i konkurrencës dhe klimë së biznesit për të tërhequr investime nga Shtetet e Bashkuara në Shqipëri”. Por nga fotot e mbërritur në redaksinë e Gazetës Sot, është arritur të hidhet dritë mbi një pjesë të axhendës së tij në kryeqytetin amerikan. Lulzim Basha është fotografuar duke dalë nga Departamenti i Shtetit, një nga qendrat më të rëndësishme të pushteti në SHBA. Ende nuk ka detaje për takimet dhe bisedimet që kreu i demokratëve euroatlantikë ka zhvilluar në Uashington, për këtë do të mbetet të presim kthimin e tij në Shqipëri dhe të ndjekim zhvillimet politike, që siç duket po bëhen përditë e më intensive, teksa afrohemi me zgjedhjet e 11 majit.
