Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar dje takimin e kryeministrit Edi Rama me punonjësit e Bashkisë, të cilin e quajti antimiting dhe madje i kërcënoi se do t’i mbante shënim emër për emër. Berisha thotë se mitingu ishte për të mbrojtur vjedhjen siç ai pretendon të Erion Veliajt. Berisha shfrenon fantazon duke thënë se mbështetësit e Veliajt u mblodhën para GJKKO për të marrë peng dhe rrahur gjyqtarët. “Shumicës prej jush këtu u takoi misioni të përballen me dy diktatura. 34 vite më parë me diktaturën komuniste. Sot, pas 34 vitesh me një diktaturë tjetër. Diktaturë krimi, droge, vjedhje e shqiptarëve.
Shikoni çfarë ndodh. Në rast se ktheheni dy javët e fundit, është seriali real më i jashtëzakonshëm i Narcos-it, por tashmë i zhvilluar jo në skenat e Hollivudit, por i zhvilluar në pallatet e pushtetit të Tiranës, në rrugët e këtij qyteti. Një javë më parë rrethonte për të rrahur gjykatësit, për t’i marrë peng. Sot, organizojnë miting, për çfarë? Për të mbrojtur vjedhjen, që vetëm një garderobë arrinte sa e Asadit. Dhe ky është vetëm aspekti, absolutisht më i vogël. Çfarë ishte mitingu i sotëm? Ai ka shumë lexime, në shumë plane. Por në një plan ishte mbrojtja, avokatia publike e narkosve, të garderobës të Lajla Asadit të Shqipërisë. Ishte mbrojtja e vjedhjeve nëpërmjet kompanive, të cilat së bashku s’bëjnë as 1/6 e atyre që Edi Rama ka vjedhur bashkë me Erion Veliajn në djegësat, me 5D dhe në shumë e shumë afera të tjera të përbashkëta”, tha Berisha në një aktivitet me Departamentin e të Përndjekurve Politikë dhe FRPD”, tha Berisha.
Për kryedemokratin edhe gjatë pjesëmarrjes në konferencën e Sigurisë në Mynih, kryeministri Rama ka tentuar t’i dërgojë mesazhe Sali Berishës, përmes fotove që është përpjekur të realizojë me delegacionin amerikan dhe zv/Presidentin JD Vance. “E merrni vetë me mend, donte të më jepte mua një paralajmërim të fortë: Që do ta shohësh ti. Dhe gjithë atë që do shihja unë do ishte në konferencën e Mynihut. Do shihja unë që ky do të takonte JD Vance, ose anëtarë të tjerë kryesore të delegacionit, do bënte foto, por mirëpo atje shkoi dhe s’pati asnjë takim. Asnjë ftesë në darkën e madhe. Ky forbiden. Dhe së fundmi vuajtja e tij e tmerrshme ishte ku dështoi me foto. Donte një foto diku në korridor, diku në qoshe. Kishte mobilizuar lobistë të stërfuqishëm, shqiptarë dhe të huaj, ishin shpenzuar miliona por fotoja nuk u shkrep”, tha Berisha.
