Kryeministri Edi Rama ka pranuar për herë të parë me gojën e tij se është thirrur nga SPAK! Po, e lexuat mirë! Ai vetë e tha, edhe pse me gjuhë artistike, nën ndriçimin e reflektorëve të konferencave të zakonshme për shtyp, ku gjithçka ngjan si një shfaqje teatrale ku aktori kryesor është një piktor që flet për drejtësi më shumë se prokurorët vetë! Nga mbledhja e grupit të PS pak ditë më parë, pasi sulmoi drejtësinë e re pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, Edi Rama kërkoi që seancat e marrjeve në pyetje nga Prokuroritë të regjistrohen. Përciptazi ai zbuloi se është thirrur nga drejtësia për të dëshmuar. Ai ka treguar se kur është thirrur nga prokurorët, askush nuk e regjistroi, por thjesht i mbante shënime me tastierë.
“Si ka mundësi Ulsi dhe ju njerëzit e drejtësisë, që kjo shumicë e qeverisë ka miratuar fonde, dy fonde janë në buxhet që janë komplet jashtë trajektores normal, fondi i mbrojtjes dhe i drejtësisë. Paga që nuk krahasohen me pagat e askujt këtu, fonde që nuk janë parë kurrë në historinë e këtij shteti dhe këta nuk kanë akoma mjetet për të regjistruar intervistat me peronat që marrin në pyetje, dhe në fund i japin një copë letër. Ku jemi këtu ne. Në çdo film sa herë që dikush shkon atje te dhoma e hetuesve, e para njëherë i tregohen të drejta e dyta i shtypet regjistrimi. I mbajnë me orë të tëra dhe i japin një copë letë. Se e kam provuar dhe unë një herë: Unë flisja dhe njëri shtypte tastierën. Ku jemi këtu ne? Sikur të kishim ILD, në letër e kemi por në realitet? Të shohin si respektohen të drejtat. Kur futesh atje je në republikë tjetër? Vetëm se është prokuror është mbi ty? Je një mish që mund të shqyhesh sipas oreksit të njërit e tjetrit?”, tha Rama.
