Prej kanaleve diplomatike kanë rrjedhur në media informacione mbi pikat që përmban plani i paqes së propozuar nga Presidenti amerikan Donald Trump për luftën në Ukrainë.
Ndërsa Presidenti amerikan pritet ta shpallë këtë plan në dy javët e ardhshme disa media si Daily Mail, apo gazeta ukrainase Strana që citojnë burime diplomatike, thonë se Trump do kërkojë armëpushim në Ukrainë brenda datës 20 prill.
Po ashtu në këtë plan parashikohet që rindërtimi i Ukrainës t’i faturohet vendeve europiane, afërsisht 486 miliardë dollarë.Ukraina do të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO të paktën për një dekadë.
Plani përfshin gjithashtu krijimin e një zone të çmilitarizuar të drejtuar nga trupat evropiane, pa përfshirje të drejtpërdrejtë të oficerëve dhe ushtarëve amerikanë, ndërsa Ukraina do të njohë sovranitetin rus mbi rajonet që aneksoi në mënyrë të njëanshme. Ukraina do të detyrohet të tërheqë trupat nga rajoni rus i Kurskut.
Ndonëse të pakonfirmuara zyrtarisht dhe larg kërkesave të qeverisë Zelensky, mediat thonë se bisedimet për t’i dhënë fund luftës do të nisin me bisedime mes Trump e Putin deri më 20 shkurt, çka përkon me përvjetorin e tretë të luftës, e më pas SHBA-të thuhet se do ta shtynin Ukrainën të pranonte një armëpushim deri më 20 prill.
