Fushata elektorale e Partisë Socialiste është në prag të një krize të thellë, teksa hetimet për zv/kryeministren Belinda Balluku po shkojnë drejt finalizimit. Burime të besueshme konfirmojnë se kryeministri Edi Rama është duke përgatitur një skenar drastik për të larguar Ballukun si drejtuese politike nga qarku i Fierit, me qëllim që të shmangë një skandal të ngjashëm me arrestimin e Erion Veliajt në ambientet e Bashkisë së Tiranës. Dosja e SPAK për Belinda Ballukun, e cila lidhet ngushtë me aferën e tunelit të Llogarasë, është në prag të shpërthimit publik. Kjo ka krijuar tension të madh brenda Partisë Socialiste, e cila sapo ka kaluar një krizë të rëndë me ndalimin e Veliajt.
Në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar, Rama mbylli dyert dhe shfaqi një qëndrim të fortë, duke sinjalizuar se lufta e brendshme në PS tashmë ka kaluar në një fazë tjetër. Një detaj domethënës që ka ngritur dyshime të forta mbi fatin e Ballukut është sjellja e saj gjatë mbledhjes së fundit të grupit parlamentar socialist. Ajo u shfaq me vonesë në Kryesinë e Kuvendit, por nuk guxoi të hynte brenda. Ky veprim është lexuar si një shenjë e qartë e tensioneve të saj me kryeministrin, i cili duket se ka vendosur ta sakrifikojë për të shpëtuar imazhin e Partisë Socialiste.
