Kryeministri Edi Rama i ka dalë në mbrojtje kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pas arrestimit të tij të hënën nga SPAK me akuzat për krijimin e një skeme korruptive mes kompanive dhe OJF-ve të lidhura me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, dhe një grupi biznesmenësh pranë tij, me vlerë transaksionesh prej më shumë se 1 milion euro.
Në një ndryshim të menjëhershëm të kursit ndaj veprimeve të organeve hetimore, Rama ka kaluar nga ‘no comment’ në akuza të drejtpërdrejta ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke e konsideruar arrestimin e Veliajt si antikushtetues dhe akuzat ndaj tij si ‘roman policesk’.
I pyetur nga BIRN nëse do të ndiqte standardin e vendosur më parë, duke i shkarkuar nga detyra kryebashkiakët kur janë vënë nën akuzë, kryeministri tha se Veliaj ishte ndryshe.
“Jo vetëm kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk do të shkarkohet nga detyra, por nga ndalimi i tij ka lindur për ne detyra që të vazhdojmë të jemi garantë të palëkundur të drejtësisë, duke nxitur sa më shumë transparencë për të dalë tek e vërteta,” tha Rama për BIRN.
Erion Veliaj, një bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit, është ndër zyrtarët më të lartë të Partisë Socialiste në pushtet që arrestohet për vepra penale të korrupsionit, pastrimit të parave, deklarimit të rremë dhe fshehjes së pasurisë.
