Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, dy partitë e mëdha ranë dakord që të ndryshojnë Kodin Zgjedhor 3 muaj para zgjedhjeve të 11 majit për të rritur tavanin e financimeve dhe kohën e reklamave televizive gjatë fushatës.
Demokratët dhe socialistët nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët për të lehtësuar votimin e emigrantëve, por në një mbledhje të Komisionit të Ligjeve të martën, ranë sërish dakord që të bëjnë ndryshime në Kodin Zgjedhor me qëllim rritjen e tavanit të financimit dhe kohës për reklama televizive gjatë fushatës elektorale.
Gjatë mbledhjes 5-orëshe, debatet ishin të shumta, por propozimet e socialistit Damian Gjiknuri kaluan në qetësi nga të dy palët.
Propozimi i parë erdhi nga deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, i cili pohoi se kandidatët në listë të hapur kanë pamundësi për të bërë fushatë elektorale efektive, pasi nuk kanë kohë të majftueshme televizive. Sipas tij, kandidatët e listës së hapur “do kërkojnë të bëjnë jo vetëm fushatë politike në favor të subjektit, por edhe në mënyrë individuale”, por shtoi se për këtë “duhet t’i jepen edhe instrumentat e duhur”.
“Korniza jonë e aspektit mediatik është shumë e vjetër, nuk e reflekton këtë,” pohoi Bylykbashi ndërsa prezantoi amendamentin e tij.
