Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, njoftoi dje në mbrëmje nisjen e rrugëtimit drejt zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, përmes miratimit nga Këshilli Kombëtar të grupit të parë të kandidatëve për deputetë në Parlamentin e ardhshëm. Në një postim në “Facebook”, Basha shkruan se kandidatët janë përzgjedhur pas një konsultimi të gjerë me qytetarët dhe përfaqësojnë integritetin, profesionalizmin dhe përkushtimin ndaj interesit publik. Ai thekson se gara do të zhvillohet me lista të hapura, duke i lënë qytetarëve të drejtën e përzgjedhjes.
“Ne besojmë tek politika si shërbim ndaj qytetarëve, jo si vetëshërbim për një grusht politikanësh që kanë varfëruar vendin”, deklaroi Basha. Ai shton se programi i Demokratëve Euroatlantikë do të fokusohet në luftën kundër korrupsionit, mirëqeverisjen dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve në fusha si ekonomia, arsimi dhe drejtësia. Basha më tej thotë se zgjedhjet e 11 majit do të jenë një mundësi për ndëshkimin e klasës politike të tranzicionit dhe për ndërtimin e një politike me “fytyrë njerëzore”, në shërbim të qytetarëve.
