Partia Demokratike ka bërë me dije se do të depozitojë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) një kallëzim penal ndaj kryetares së Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, ministres së Infrastrukturës Belinda Ballukut dhe zyrtarëve të ministrisë së Bujqësisë për shpërdorim detyre dhe keqmenaxhim të fondeve publike.
Kallëzimi ka të bëjë me përmbytjet të regjistruara pak ditë më parë në Durrës, ku uji shkaktoi dëme të konsiderueshme në 381 banesa. Sipas demokratëve, kushtet atmosferike nuk mund të ndryshohen, por në një qeverisje normale Bashkia mund të merrte masa për të parandaluar dëmet e parikuperueshme për familjet, bizneset dhe tokat bujqësore.
“Kanalet kulluese në Durrës dhe komunat Ishëm, Manëz, Katund i Ri, Rrashbull ,ish Kënetë, Spitallë e Sukth edhe sot mbeten të bllokuara. Hidrovori dështoj, pasi nga 9 pompa funksionale, vetëm 4 ishin në punë, megjithëse janë 20 milionë dollarë të marra nga fondet e rindërtimit. Shpërdorimi dhe grabitja e fondeve publike janë e vërteta e përmbytjes së Durrësit.” – deklaroi nga selia blu anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD, Ilirjana Kucana.
Ajo shtoi më tej se Durrësi u përmbyt jo vetëm nga shirat, por mbi të gjitha nga korrupsioni dhe paaftësia e institucioneve.
Demokratët thonë se dëmet e shkaktuara nga kjo përmbytje vlerësohet të jenë mbi 10 milionë euro, të cilat duhet të kompensohen menjëherë sipas ligjit të emergjencave civile.
