Avokati Idajet Beqiri paralajmëroi dosje të tjera të nxehta për kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha, familjarët e tij dhe persona të tjerë në skandale dhe abuzime financiare të ngjashme me atë të aferës në dosjen “Partizani”.
Por duke mos dhënë detaje nga këto çështje për shkak edhe të sekretit, ai nënvizoi në një studio televizive, se janë po aq të forta sa dosja që ndodhet në GJKKO. Beqiri foli edhe për denoncimin e radhës që i ka bërë Berishës në SPAK për çështjen e falsifikimit të datëlindjes, që nuk e ka deklaruar këtë ndryshim në formularin e Dekriminalizimit në dy raste. Sipas ligjit, ai sqaroi se duhet t’i hiqet mandati i deputetit nga KQZ.
“Ka ndryshuar dhe falsifikuar ditëlindjen nga 1 korrik, në 15 tetor, falsifikoi datëlindjen, kallëzimi i bërë dhe regjistruar në SPAK. Nuk është vetëm falsifikim, por edhe mosdeklarim në formularin e Dekriminalizimit, që duhet ta kishte bërë dy herë. Ne nuk kemi KQZ, por po të kishim do ndodhte si me kryebashkiakun e Shkodrës, edhe ky e ka bërë dy herë të njëjtën gjë e duhet t’i hiqte mandatin. Kam akte zyrtare për këtë, nga Gjendja Civile, të firmosura dhe të vulosura, nuk janë fjalë”, u shpreh ai sot në Report TV.
