Në një klimë politike të tensionuar, hetimet intensive të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ndaj aferave të dyshuara korruptive të qeverisë Rama duket se kanë krijuar një atmosferë frike dhe pasigurie në kupolën e pushtetit. Kryeministri Edi Rama ka reaguar me sulme të ashpra ndaj gjyqtarëve dhe institucioneve të drejtësisë, duke i akuzuar për paaftësi dhe për keqpërdorim të pavarësisë që iu është dhënë.
Këto deklarata vijnë në një moment kur disa ministra dhe zyrtarë të lartë janë përfshirë në dosje të nxehta, duke ngritur pikëpyetje mbi qeverisjen dhe integritetin e institucioneve. Gjatë podkastit të tij “Flasim” këtë fundjavë, ku kishte të ftuar profesorin Selami Xhepa, Rama shprehu shqetësimin për funksionimin e institucioneve të pavarura, të cilat, sipas tij, shpesh shfaqin paaftësi në performancë. Ai e ilustroi këtë me rastin e rritjes së pagave të gjyqtarëve, të cilën e quajti “skandaloze” dhe “spektakolare” për shkak të pamundësisë së sistemit për të ndërhyrë.
