Ministrja Ogerta Manastirliu po përballet me një stuhi të re akuzash, ndërsa pyetja që mbetet pa përgjigje është, se pse ajo refuzoi të shkarkojë Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, Erzen Tola, pas kërkesës së qartë të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH)? Z. Tola, i përfshirë në një sërë shkeljesh ligjore sipas raportit të KLSH-së, vazhdon të qëndrojë në detyrë, duke ngritur dyshime mbi ndikimin dhe mbrojtjen që gëzon brenda strukturave të Ministrisë. Në një skemë që duket se përputhet me sloganin e pashpallur të qeverisë “Të korruptuarit e gjithë botës, bashkohuni”, Manastirliu dhe zyrtarët e saj po veprojnë si një rrjet i mbyllur mbështetjeje reciproke.
Dokumentet e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë zbuluar shkelje të rënda nga ana e Tolës dhe qysh para disa muajsh është kërkuar largimi i tij nga shërbimi civil. Megjithatë, ministrja e Arsimit e ka bllokuar këtë proces, duke e mbajtur zotin Tola si një “ushtar besnik” për interesat e saj politike. Por akuzat ndaj zonjës Manastirliut nuk ndalen këtu. Ish-ministrja e Shëndetësisë është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për tenderat sekretë të realizuar gjatë pandemisë Covid-19. Deputetja Albana Vokshi ka dorëzuar një sërë kallëzimesh që përfshijnë shpërdorim të detyrës dhe abuzim me fondet publike. Në qendër të skandalit është mënyra se si tenderët sekretë, madje edhe për produkte si letra higjienike, janë shpallur në kundërshtim me ligjin. Mirëpo, veprimet e Manastirliut dhe vendosmëria e saj për të mos shkarkuar një zyrtar me “cen” sikundër është zoti Tola, sipas KLSH, po hedhin hije të rënda mbi integritetin e institucioneve shtetërore, veçanërisht ndaj Ministrisë së Arsimit, duke e kthyer këtë institucion në një çerdhe paligjshmërie dhe nepotizmi.
