Jetojmë në një kohë kur stresi është i pranishëm në jetën e pothuaj të gjithëve ne.
Profesionistët e shëndetit mendor thonë se njerëzit që punojnë me shifra, me ligje, me afate strikte kohore, me sigurinë dhe shëndetin publik janë më të stresuarit. Ashtu siç ka profesione që jo vetëm nuk të lodhin, por të gëzojnë.
“Në përvojë time kam të paktën dy ekonomistë në ditë. Ekonomisti punon me shifra dhe nuk del dot nga kornizat si në profesion edhe në jetën personale. Dhe sa më tepër të kemi korniza aq më tepër ndihemi ngushtë dhe shfaqim stres”, thotë Arjana Rreli, Mjeke Psikiatër per Top Channel.
Bashkëpunimi me kolegët apo eprorët është një tjetër faktor stresues, që për disa profesione është edhe determinues. “Në vend të dytë janë mësuesit, dhe mjekët veçanërisht ata të urgjencave, që përballen çdo ditë e më shumë me të papriturën. Vazhdojmë me inxhinierët e IT-së, arkitektët, sepse punojnë me afate kohore të mirëpërcaktuara”, shpjegon ajo më tej.
Nën stres janë edhe juristët, avokatët, punëtorët e fabrikave të këpucëve që janë të ekspozuara ndaj lëndëve kimikë, që ndikojnë në sistemin nervor, si dhe punonjësit e call center-ave.
