Malaj: Rama ka qejf modelin “Erdogan”, rrethohet nga njerëz që i thurin lavde si Musolinit

Data

Ish-ministri i Financave në Qeverinë e Fatos Nanos, Arben Malaj ka deklaruar se pakti i vitit 2008 mes Edi Ramës dhe Sali Berishës për ndryshimet Kushtetuese duke mbyllur listat e deputetëve e degradoi politikën.

Gjatë një interviste në një “podcast”, Malaj deklaroi se në atë kohë ka debatuar me Ramën në Kryesinë e PS-së dhe se bashkë me disa deputetë të tjerë nuk i kanë votuar. Sipas ish-ministrit socialist, me mbylljen e listave të kandidatëve për deputetë, partitë humbën demokracinë dhe u kthyen në “shpk” me një ortak të vetëm, teksa ka dhe keqpërdorim të mandatit politik.

“Po ta ndjekim në dinamikë, Parlamenti ka një trend përkeqësues. Pika e kthimit ishte ndryshimi Kushtetues në vitin 2008. Ku ne disa deputetë nuk e votuam. Unë kam bërë debat me Ramën në Kryesinë e PS. Partitë humbën demokracinë. Partitë politike u kthyen në SHPK me një ortak të vetëm. Vrasja e demokracisë së brendshme tregon dhe cilësinë në Parlament, qeveri etj. Kur kandidatët zgjidheshin nga baza, baza i njihte njerëzit. Kur kandidatët për deputetë mandatohen nga kryetari, askush nuk gëzon, por shoh shumë raste të keqpërdorimit të mandatit politik. Po ashtu PS nuk duhet të bënte aleancë me njerëz të fortë që sillnin vota, të cilët u kandiduan dhe ikën me miratimin e ligjit të dekriminalizimit. Fenomeni erdhi zinxhir nga niveli më i lartë dhe poshtë.” – ka deklaruar Arben Malaj.

Ish-ministri socialist nuk i kurseu kritikat për Edi Ramën për mënyrën se si ai ka qeverisur prej vitit 2013 dhe premtimet e pambajtura prej tij. Malaj deklaroi se Edi Rama pëlqen modelin e Erdoganit, duke shtuar më tej se modeli ekonomik i tij nuk përputhet me filozofinë e të majtës, por vendi është në duart e një grupi njerëzish.

“Vota kërkohet mbi bazën e premtimeve, por këtu te ne premtimet janë sa për të fituar mandatin sesa duhen realizuar me patjetër. 3 mandate janë shumë. Votuesit e kanë votuar PS, dikur me aleatë dhe dikur e vetme. Pushteti i gjatë dhe i fiksuar, apo pushteti absolut është sëmundja më e keqe që gërryen një vend. Një lidership i mirë duke ditur këto risqe, i duhet të gjejë mundësitë të mbrohet nga ato. Rruga më e mirë është të lejosh mendimin kundër, të lejosh oponencën, të sillesh me opozitën sikur je ti në opozitë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related