Nëna e Leo Sadikut, 12-vjeçarit që ndërroi jetë në QSUT në datën 8 janar, ka thyer heshtjen dhe ka folur për herë të parë duke ndarë me publikun të gjithë kalvarin që kaloi djali i saj në Spitalin e Korçës dhe QSUT. Ajo akuzon mjekët që patën në dorë djalin e saj për neglizhencë, duke i atribuar kësaj pasojat që çuan në vdekjen e të birit.
Në një gjendje shumë të vështirë emocionale, Roveta Sadiku tregon se e dërguan djalin në Spitalin e Korçës për herë të parë më 28 dhjetor, ku pas marrjes së mjekimit, mjekët e dërguan atë në shtëpi. Më 29 dhjetor, pasi gjendja e djalit nuk përmirësohej, ata shkuan përsëri në spital, ku pas disa vizitave, djali u shtrua. Sipas nënës, Leo kishte dhimbje të vazhdueshme barku, diarre, dhe të vjella.
Roveta tregon momentet e fundit të jetës së Leos, i cili sipas saj, ndërroi jetë në duart e dajës së tij.
