Një nga ngjarjet më të errëta të historisë moderne shqiptare kthehet sot në qendër të vëmendjes, teksa mbushen plot 14 vite nga masakra e 21 janarit të vitit 2011, ku gjatë protestës së opozitës, mbetën të vrarë katër protestues të pafajshëm. Gazetari që mbeti i plagosur në protestën e 21 Janarit, Fatos Mahmutaj, ka hapur “Kutinë e Pandorës”, ndërsa tregon emrat e atyre që urdhëruan gjakderdhjen. Me dëshmi tronditëse, ai hedh dritë mbi dhunën brenda Kryeministrisë atë ditë, ku Ndrea Prendi, shefi i gardës, u dhunua fizikisht në zyrën e Sali Berishës për të detyruar dhënien e urdhrit fatal.
Shefi i grupit të gardistëve, Arjan Adhami, dhe gardistët e tjerë që qëlluan mbi protestuesit mbeten të lirë, ndërkohë që viktimat u etiketuan si “puçistë”. Nga manipulimi i provave deri te pengimi i hetimeve, gazetari Mahmutaj zbulon skenarët e errët dhe kërkon drejtësi për viktimat e pafajshme. Madje akoma më tronditëse, është ekzistenca e kopjes së hard diskut të serverëve të Kryeministrisë, që Prokuroria e Posaçme (SPAK) është në dijeni, por ende nuk ka vepruar. Më poshtë po pasqyrojmë një pjesë të intervistës së Z. Fatos Mahmutaj për “Report TV”.
