Juristja e njohur, Brizida Gjikondi, ka dhënë një intervistë për gazetën ku thekson krizën morale që politika ka sjellë për shqiptarët. Ajo kritikon ashpër vendimet e qeverisë Rama, duke i parë ato si aktet e arrogancës dhe shmangies së demokracisë. Në këtë kuadër, Gjikondi thekson rëndësinë e hetimeve të SPAK për korrupsionin dhe keqpërdorimin e pushtetit, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për pastrimin e politikës shqiptare.
Sipas saj, politikanët shqiptarë, të cilët kanë arritur marrëveshje të fshehta dhe paktet midis tyre, nuk kanë as dinjitet dhe as interes kombëtar, por vetëm përfitime personale. Në një kohë kur diskutimet për korrupsionin dhe shpifjen janë të pranishme, Gjikondi paralajmëron për pasojat e veprimeve të tilla dhe thekson se politikanët shqiptarë janë shumë larg moralit kombëtar.
-Zonja Gjikondi, çfarë mendoni për vendimin e qeverisë Rama në shpalljen si investitor strategjik të Jared Kushner, dhëndrin e Trump, për ndërtimin e një resorti turistik në Sazan
Sazani është një territor strategjik shqiptar, jo vetëm i vetmi ishull që kemi por ndër shekuj ka qenë ambicia dhe trofeu i shumë perandorive, kjo nisur nga pozicioni që ai mban në Kanalin e Otrantos. Arroganca e kryeministrit Rama në vendimmarrjen ndaj dhënies së territoreve të Shqipërisë duke përjashtuar mendimin qytetar, i cili mund të ishte dhe në favor të këtij vendimi, flasin jo mirë për karakterin jo demokratik të kryeministrit Rama. Në raste si i Sazanit kupton pse politika shqiptare ka bllokuar referendumet.
-SPAK tashmë është kthyer një faktor i rëndësishëm në Shqipëri, në politikën shqiptare, në jetën publike dhe në ndryshimin e rrjedhës së historisë. Si e komentoni punën e saj dhe emrat të cilët ai po heton?
Personalisht përherë kam patur qasjen të mendoj që SPAK pavarësisht se ka 5 vjet që funksionon, ka vetëm dy vjetët e kryesuara nga zotit Dumani që kanë bërë të mundur që ky institucion te shkruaj një faqe të rëndësishme të historisë së Shqipërisë së këtij mijëvjeçari. Emrat të cilët po hetohen janë diçka por jo gjithçka. Kallëzimet anonime ose jo, nëse vërtetojnë që kane konsumuar veprën e korrupsionit aktiv ose pasiv dhe abuzimin me pushtetin janë një damkë e ndyrë në fytyrë të pushtetit.
Përherë kam ndjerë dhe menduar fort që nuk ka tradhti dhe akt më barbar ndaj vendit që ti i përket se korrupsioni dhe grabitja në mirëbesim. Korrupsioni ndaj popullit tënd zeron çdo fjalim patetik dhe vepra pseudo te mira po me leket e këtij populli. Te korruptuarit elitar që ka nxjerrë pushteti janë dhe cinik, shpesh punët që bëjnë sepse e kanë për detyrë t’i bëjnë i shesin si dhurata dhe sakrifica personale ndaj shqiptarëve. Thjeshtësia dhe përulësia që i mungon kryeministrit, reflektohet dhe tek pasuesit e tij.
