Ka përfunduar procesi i numërimit të votave për zgjedhjen e kryetarit të degës së Partisë Demokratike në Sarandë, duke shpallur fituese Matilda Qurkën.
Sipas rezultatit përfundimtar, Qurku ka siguruar 145 vota nga anëtarësia pjesëmarrëse në votim, duke lënë pas kandidatin tjetër, Kreshnik Shehun, i cili mori 64 vota. Gjashtë vota u shpallën të pavlefshme nga komisioni i numërimit.
Procesi i votimit u zhvillua në një klimë të qetë dhe pa incidente, me pjesëmarrjen e 215 anëtarëve nga 1280 të regjistruar në degën e Sarandës. Rezultati u shpall zyrtarisht nga komisioni përkatës, duke formalizuar kështu drejtuesen e re të degës për mandatin e ardhshëm.
Pas shpalljes së fitores, Matilda Qurku falënderoi anëtarësinë për besimin e dhënë dhe theksoi se prioritet i saj do të jetë forcimi i strukturave, bashkimi i demokratëve dhe rritja e angazhimit politik në nivel lokal. Ajo u shpreh e vendosur për të punuar në funksion të riorganizimit dhe fuqizimit të Partisë Demokratike në Sarandë.
I deleguar nga qendra për ndjekjen e procesit zgjedhor ishte Nikolin Cali, kryetar i FRPD-së, ndërsa organizimi u mbikëqyr nga strukturat përkatëse të partisë.
