Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), institucioni që ka monopol mbi teknologjinë dhe shërbimet digjitale në Shqipëri, duket se është përfshirë në një tjetër skandal financiar të përmasave të mëdha. Sipas të dhënave nga Thesari i Shtetit, të bëra publike nga “OPEN DATA ALBANIA” gjatë periudhës 2019 – 12 dhjetor 2024, AKSHI ka realizuar 1122 transaksione me vlerë totale 6.64 miliardë lekë, të gjitha të klasifikuara si “tendera sekretë”. Këto kontraktime me status të klasifikuar përfshijnë blerje pajisjesh apo shërbimesh që justifikohen me arsye sigurie. Megjithatë, transparenca mbetet zero, pasi autoriteti nuk publikon të dhëna për këto tendera, kontratat e tyre apo fituesit e shpallur.
Mungesa e konkurrencës dhe mënyra e mbyllur e realizimit të këtyre kontratave ngre dyshime serioze për abuzime dhe manipulime. Viti 2022 ka qenë veçanërisht i rënduar, me shpenzime rekord prej 1.74 miliardë lekësh për kontrata të klasifikuara. AKSHI, i drejtuar nga Mirlinda Karçanaj, një figurë shpesh e akuzuar si e përfshirë në skandale të mëdha, duket se ka përdorur këtë mekanizëm për të shmangur transparencën dhe për të favorizuar kompani të caktuara. Ekspertët e ekonomisë dhe politikës kanë ngritur shqetësime të forta mbi këto praktika. “Klasifikimi si tender sekret shpeshherë kthehet në alibi për të fshehur korrupsionin dhe për të kufizuar konkurrencën e ndershme”, u shpreh një analist i njohur.
Ndërkohë, qytetarët shqiptarë vazhdojnë të përballen me krizën ekonomike, ndërsa miliarda lekë derdhen në kontrata të errëta. Por nëse këto shpenzime janë realisht për sigurinë kombëtare apo për interesa private të individëve të fuqishëm, mbetet një pyetje që kërkon përgjigje urgjente. Ky skandal i fundit vetëm sa shton listën e gjatë të dyshimeve mbi menaxhimin e fondeve publike nga AKSHI, një agjenci që duket se është kthyer në simbol të abuzimeve me paratë e shqiptarëve.
Detajet
Konkretisht “OPEN DATA ALBANIA” bën me dije se: “Kontraktimet me statusin e Klasifikuar, janë blerje shërbimesh apo pajisjesh për të cilat për arsye sigurie autoriteti shtetëror nuk bënë njoftim publik dhe nuk publikon të dhëna dhe drafte të kontratës. Duke qenë kontraktime të mbyllura pa garë, më një grup të caktuar kontraktorësh, pa oferta konkurruese të hapura ky grup veprimesh shpesh mund të karakterizohet edhe nga defekte të konkurrimit dhe konkurrencës.
I vetmi informacion që vjen për këto kontrata është ai përmes Transaksione Thesari ku Kompanitë Klient përfitues paguhen për shërbimin. Një nga autoritetet që është legjitimuar për të kryer Kontrata të Klasifikuara për qëllime të sekretit dhe sigurisë shtetërore është Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Për periudhën 2019 – 12 dhjetor 2024, përmes thesarit vetëm autoriteti shtetëror Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka realizuar 1 122 transaksione, me vlerë totale prej 6 640 295 292 Lekë (6.64 miliard lekë). Viti 2022 rezulton me vlerë më të lartë, rreth 1.74 miliard lekë pagesa për Kontrata të Klasifikuara.”
