Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) sot ka hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje që kërkonte të anulohej vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për certifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Sipas vendimit të publikuar të enjten, ankesa e partisë në pushtet konsiderohet e palejueshme pasi nuk i përmbush kërkesat ligjore.
“HUDHET poshtë e palejuar ankesa Anr. 16/2025 e datës 08.01.2025, e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me seli në Prishtinë, paraqitur kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ, me të cilën ka kërkuar që të anulohet Vendimi i KQZ-së Nr. 01/2328-2024, i datës 31.12.2024, dhe të urdhërohet KQZ, të nxjerr vendim”, thuhet në vendimin e Panelit.
PZAP ka argumentuar se sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregullores së PZAP-së për procedurën e paraqitjes së ankesave, vetëm përfaqësuesit e Vetëvendosjes në KQZ mund të paraqisnin një ankesë të tillë, nëse konsideronin se u ishte cenuar ndonjë e drejtë.
VV kishte pretenduar se certifikimi i Listës Serbe është i paligjshëm, duke theksuar se vendimi u mor pa pjesëmarrjen e dy përfaqësuesve të saj në votim.
