Arrestimi i oficerëve të lartë nga hetimet e SKY ECC/VOA: K*imi i organizuar ka implikuar nivelet drejtuese të policisë

Data

Arrestimi i një grupi oficerësh të lartë të Policisë së Shtetit gjatë dy viteve të fundit si pjesë e hetimeve të SKY ECC reflekton sipas ekspertëve nivelin e depërtimit të krimit të organizuar në radhët e policisë, po aq sa problemet sistemike të korrupsionit dhe ndikimit politik. Ky material është përgatitur nga gazetarja Klodiana Lala dhe është një bashkëpunim mes Rrjetit BIRN dhe Zërit të Amerikës.

Policia e Shtetit në Shqipëri përmbylli një cikël të ri ndryshimesh në dhjetor, duke filluar nga drejtori i Përgjithshëm dhe deri tek shefat e komisariateve të vendit. Ndryshimi i të gjithë zinxhirit drejtues u motivua publikisht me nevojën për të përmirësuar imazhin e policisë, po aq sa për të rritur parametrat e sigurisë dhe rezultatet në luftën kundër krimit.

Kjo është një betejë e vjetër për Policinë shqiptare, imazhi i së cilës u dëmtua edhe më shumë gjatë dy viteve të fundit nga arrestimi i një duzine oficerësh të lartë, të cilët akuzohen se u vendosën në shërbim të rrjeteve të krimit të organizuar.

Niveli i depërtimit të krimit të organizuar në strukturat e Policisë së Shtetit doli në sipërfaqe përmes komunikimeve të aplikacionit Sky ECC, të cilat iniciuan disa operacione dhe hetime të Prokurorisë së Posaçme. Sipas Adriatik Agos, ish-drejtues i strukturave të policisë dhe ekspert për sigurinë, këto komunikime ekspozuan implikimin në nivele të larta të Policisë së Shtetit.

“Panoramat e reja, të dhënat inkriminuese që sollën këto platforma të komunikimeve elektronike vërtet janë të dhimbshme, kur dëgjon për nivele të larta, për funksione menaxheriale që janë të implikuar. Nga rastet e hetimeve të SPAK-ut, është mëse e qartë që nivele të larta apo funksione të veçanta si në nivelet vendore, ashtu edhe në nivele qëndrore janë të implikuar,” tha Ago.

Mes zyrtarëve të arrestuar, ish-shefi i Forcës Operacionale, Oltion Bistri akuzohet për rrjedhje të informacioneve sekrete për llogari të rrjeteve të krimit të organizuar, ndërsa ish-drejtori i Policisë së Lezhës, Henerigert Mitri akuzohet për lejimin e kultivimit të kanabisit në shkallë të gjerë. Drejtues të tjerë policie akuzohen se u përfshinë drejtpërdrejt në planet për të eliminuar rivalët apo në kultivimin e kanabisit gjatë viteve 2019-2021.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related