Ky vit ka qenë një ndër më të bujshmit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri, duke u shënjuar nga aksione të fuqishme të SPAK (Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar), me mbështetje dhe udhëzime të partnerëve ndërkombëtarë. Gjithashtu, përdorimi i provave të siguruara nga aplikacioni i komunikimit të koduar “SKY ECC” ka qenë thelbësor në ngritjen e akuzave ndaj figurave të njohura politike dhe të tjera me influencë në vend.
Nën drejtimin e Altin Dumanit, SPAK ka ndërmarrë disa operacione të mëdha, duke vënë në pranga, politikanë, ish-politikanë dhe zyrtarë të lartë, ku emrat “VIP” që të gjithë shqiptarët mendonin se kurrë nuk do të hetoheshin dhe jo më të kishin akuza konkrete janë ish-presidenti Ilir Meta, deputetja Monika Kryemadhi, ish-kryeministri Sali Berisha, apo edhe ish-ministri Ilir Beqaj.
Nga ana tjetër, Altin Dumani po heton kryebashkiakun Erion Veliaj, madje po “qep” dosje korruptive edhe për kryeministrin Edi Rama. Tashmë askush nuk mund të thotë sot se SPAK po operon me dy standarde. Në një vend që ka 33 vjet që është shkatërruar gjithçka, sot po hetohen ata që ishin të paprekshëm.
Goditja për Berishën
Pas një hetimi 4-vjeçar, SPAK ka mbyllur para disa javësh hetimet për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, duke dërguar për gjykim 5 të pandehur, ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, dy biznesmenët Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja, si edhe financierja Andia Pustina. Tashmë dosja i ka kaluar Gjykatës së Posaçme, e cila do duhet të vendosë më 3 janar të 2025 nëse kalon ose jo për gjykim. Kjo është hera e parë që një ish-kryeministër dërgohet për gjykim, ndërsa ndaj tij rëndon akuza e korrupsionit pasiv.
Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe Ilir Beqaj
Gjithashtu, ish-presidenti Ilir Meta u arrestua me urdhër të SPAK në 21 tetor 2024 nën dyshimet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, ndërsa ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi ndodhet me masën “detyrim paraqitje”. Meta dhe Kryemadhi akuzohen nga SPAK se gjatë ushtrimit të detyrave të tyre në të shkuarën janë përfshirë në korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Prokurorët e Posaçëm argumentojnë se hetimet treguan se ata kishin përdorur pushtetin për favorizime të njerëzve të tyre dhe kishin marrë prej tyre vlera monetare.
Gjithashtu, në 4 korrik të këtij viti, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja u arrestua me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” për çështjen e “Sterilizimit”. Situata për Beqajn është bërë edhe më e rëndë pasi SPAK ashpërsoi akuzat për rikuafilimin e veprës në ‘vjedhje duke shpërdoruar detyrën e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal’. Në bazë të hetimeve të SPAK rezulton se marrëveshja mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe bashkimit të operatorëve ekonomikë që fitoi koncesionin me vlerë 100 milion euro me afat 10-vjeçar, dyshohet se favorizonte koncesionarin, i cili drejtohej nga biznesmeni Ilir Rrapaj.
