Ndërsa Rusia bombardon Ukrainën ditë për ditë, fati i popullit ukrainas dhe i vendit të tyre bëhet gjithnjë e më shumë lojë e pushtetit dhe e politikës në disa vende të BE. Në Hungari Viktor Orban gënjen popullin e tij, që të besojë se ai është një “misionar i paqes” – në këtë rol ai bën thirrje kundër opozitës, e cila u shërben “luftënxitësve në Bruksel”. Nga ana tjetër në fushatën zgjedhore në Gjermani Olaf Scholz përpiqet të paraqitet si “kancelar i paqes” dhe “njeri i çtenisionimit”, për t’ua hequr votat partive pro-ruse AfD dhe BSW.
Edhe në politikën e brendshme të Sllovakisëçështja e Ukrainës zien prej kohësh. Por tani kryeministri Robert Fico, me emër socialdemokrat por në fakt një populist i djathtë, ka nisur një konflikt serioz diplomatik me fqinjin e tij për shkak të ndalimeve të tranzitit të gazit në Ukrainë. Ai kërcënon Ukrainën, se do t`ia ndërpresë eksportet e energjisë elektrike ose ndihmën për refugjatët ukrainas, nëse Ukraina vazhdon të ndalojë transitin e gazit rus. Por në fakt nuk është fjala për rrezikun e një krize energjetike në Sllovaki, por për një shpërqendrim nga problemet e brendshme politike – nga programi i rreptë i kursimeve dhe kriza gjithnjë e më e thellë e koalicionit qeverisës.
