GEN Z, si të rinjtë shqiptarë po krijojnë një model ndryshe jetese e pune

Data

Të rinjtë shqiptarë po krijojnë një model të ri jetese. Ndryshe nga prindërit, të cilët punonin për të siguruar mundësi bazike, ata sot kërkojnë përvoja – udhëtime, sfida dhe zhvillim personal. Udhëtimi për ta nuk është luks, por një investim për rritje dhe njohuri. Arsimi tradicional, që dikur ishte themeli i suksesit për shqiptarët pas tranzicionit, po zëvendësohet nga kurse praktike dhe shkolla profesionale, që ofrojnë rezultate të shpejta dhe të prekshme. Në tregun e punës, të rinjtë e sotëm nuk pranojnë autoritetin e padiskutueshëm të shefit, një koncept që prindërit e tyre e shihnin si themelor; ata sfidojnë hierarkitë tradicionale dhe kërkojnë fleksibilitet, drejtësi dhe mirëqenie. Ata kanë sjellje tipike me bashkëmoshatarët në botë, përveç faktit që përfshirja politike është larg mendimeve të tyre, duke pasqyruar një tendencë për t’u distancuar nga kultura politike, një fenomen që po thellohet me çdo brez të ri në Shqipëri.

Është ora 23:00, dhe Emanueli, vetëm 17 vjeç, hap derën e shtëpisë pas një dite të gjatë me dy turne pune. Ai jep një përshëndetje të thjeshtë, “Si je?”, ndërsa lodhja ia rëndon fjalët. Vera për të nuk ishte thjesht pushime; ajo ishte përpjekje për t’u pavarësuar.

Një turn në një bar kafe në qendër të Tiranës nga ora 17:00 deri në 22:30 dhe një tjetër në një mensë lagjeje nga 11:00 deri në 15:30 mbushnin ditët e tij. Por, si çdo gjimnazist, edhe Emanueli iu rikthye bankave të shkollës në shtator, duke përpjekur të ndërthurë punën, shkollën dhe ëndrrat e tij për të ardhmen.

Në librin “21 Lessons for the 21st Century”, Yuval Noah Harari thotë: “E vetmja gjë që dihet me siguri për të ardhmen është ndryshimi.” Për gjeneratën Z, kjo është më shumë se një thënie – është një realitet që ata e përqafojnë çdo ditë.

Si Emanueli, brezi Z nuk ndjek rregullat tradicionale; ata ndërtojnë një model të ri që përfshin sakrificën për pavarësi, aftësinë për t’u përshtatur dhe forcën për të balancuar shumë përgjegjësi njëkohësisht. Ky brez ka lindur me kufij më të hapur, jo vetëm fizikë, por edhe kulturorë e dixhitalë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related