Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar padinë e biznesmenit Pëllumb Gjoka, i cili kërkonte shpalljen e pavlefshme të mesazheve të përftuar nga aplikacionet e inkriptuara “Sky Ecc” dhe “EncroChat”.
Gjyqtarët kushtetues i kanë dhënë të drejtë Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për t’i përdorur si provë në proceset gjyqësore bisedat e aplikacionit “Sky Ecc” dhe “EncroChat”, duke u mbështetur edhe në prova të tjera.
Gjykata Kushtetuese bën me dije se vendimi i arsyetur do të shpallet brenda afateve ligjore.
Bisedat e “Sky ECC” dhe “EncroChat” përfunduan në Kushtetuese, pas refuzimit të Gjykatës së Lartë për t’i rrëzuar si prova dhe hequr masën e sigurisë “arrest me burg” Pëllumb Gjokës.
Ai u arrestua më 27 Korrik të vitit 2023, në bazë të një hetimi të zhvilluar nga SPAK. Bashkë me Pëllumb Gjokën u arrestuan edhe prokurori i Kukësit, Xhevahir Lita, ish-shefi i operacionales së Policisë së Shtetit, Oltion Bistri dhe personazhe të tjerë të kronikës së zezë në zonën e Shkodrës. Ata akuzohen si pjesë e një grupi kriminal dhe mbi ta rëndojnë akuza të ndryshme, nga vrasja, sigurimi i kushteve dhe mjeteve për kryerje vrasjeje, korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash e të tjerë.
