Këtë të enjte, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u paraqit në SPAK, ku dëshmoi për 5 orë. Menjëherë pas daljes nga SPAK, Veliaj shkoi në sallën e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku dha disa detaje.
Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi e konsideroi mbledhjen e Këshillit Bashkiak si një mbledhje me tifozët e tij, e sipas tij kjo tregon që Veliaj “ka një sens frike”. Ai tha gjithashtu se kryebashkiaku i Tiranës duhet të kishte dhënë dorëheqjen pasi sipas tij, ai e ka humbur tashmë betejën politike.
“Ky zotëria për sa kohë i mbledh atje, ka një sens frike, një sens faji. Kjo më ra në sy mua. E dyta, këtu ka rënë institucioni i dorëheqjes. Veliaj për veten e vetë do kishte bërë mirë të kishte dhënë dorëheqjen, si nënpunës.
Atje janë dy dosje që janë direkt me këtë. Ka apo nuk ka faj ky, janë dy dosje. Ti je këtu në krye të kësaj Bashki edhe ti nuk paske asnjë lloj përgjegjësie publike? Për mua ky e ka të humbur këtë betejë. Me opinionin publik ky e ka të humbur betejën publike e morale. Ata mund ta fitojnë me gjyqtarët, por nëse ka një opinion publik akoma, e ka humbur,-tha Shehi.
