Edi Rama, pa përjashtuar të gjithë të papriturat nga hetimet e SPAK dhe skenarët amerikanë duhet të jetë kryeministër deri në maj të vitit 2025, çka do të thotë se në fund të mandatit të tretë ai do jetë 61 vjeç. I ngopur me 27 vjet në politikë nga të cilat 26 në pushtet dhe vetëm 1 në opozitë, Edi Rama nuk mund të ketë më orekse. Rrjedhimisht ai dikujt do t’ia lërë stafetën. Këtë e ka konfirmuar me gojën e vet kur ka thënë se “kur të largohem nga detyra e kryeministrit nuk do marr asnjë detyrë tjetër shtetërore”. Mjafton kjo fjali për të kuptuar se Edi Rama do të dalë në pension politik pasi të largohet si kryeministër. Por kujt do t’ia lërë stafetën? Deri para pak mujash të gjithë ishin të bindur se Erion Veliaj do të ishte pasardhësi i Edi Ramës.
Por pozitat e tij në Partinë Socialiste janë lëkundur dhe kjo ka ardhur si pasojë e hetimeve të SPAK, përfshirë këtu dhe goditjet që po i japin armiqtë e tij në PS. Lëvizja e Ramës mund t’i surprizojë të gjithë, pasi mesa duket kryeministri po piketon bashkëshorten e tij Lindën në krye të Partisë Socialiste, njësoj siç po bën Sali Berisha që po i përgatit terrenin Argitës për të marrë frenat e PD. Linda Rama së fundmi është bërë aktive në jetën publike si asnjëherë më parë duke u vendosur në një pozicion që lë hapësira se pjesëmarrja e saj në politikë nuk është e pamundur. Pak ditë më parë u zbulua se Linda Rama shkroi dhe parathënien e librit të Kamala Harris, kandidates për presidente që humbi zgjedhjet përballë Donald Trump.
