Një laborator ku prodhoheshin dokumente të falsifikuara në Korçë dhe materialet brenda tij u sekuestruan nga policia me 24 korrik të vitit 2023 ndërsa sot Prokuroria e Korçës ka dalë me një njoftim ku thotë se ka dërguar për gjykim shtetasin Artur Rakipi.
Njoftimi i Prokurorisë së Korçës
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin A.R. për tetë vepra penale në lidhje me falsifikimet, si ‘Falsifikimi i dokumenteve’, ‘Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave’, ‘Falsifikimi i vulave’, etj, si dhe ‘Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga veprimtaria kriminale’ apo ‘Largimi i të burgosurit nga vendi qëndrimit’.
Nga hetimet në kuadër të procedimit penal nr.147/1 të vitit 2023, rezultoi se shtetasi A.R. në bashkëpunim me persona të tjerë, kryenin veprimtari të paligjshme në fushën e falsifikimit.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë, provoi se ky shtetas dispononte një laborator me të gjitha pajisjet e nevojshme për fabrikimin e dokumentave në mënyrë të jashtëligjshme, në një apartament të ndodhur në Rr. “28 Nëntori”.
