Qeveria e Edi Rama ka miratuar një paketë ndryshimesh ligjore që synojnë forcimin e rolit të SHISH, duke zgjeruar ndjeshëm kompetencat e inteligjencës shqiptare në fushën e sigurisë kombëtare dhe mbledhjes së informacionit.
Projektligji parashikon riemërtimin zyrtar të institucionit nga “Shërbimi Informativ Kombëtar” në “Shërbimi Informativ i Shtetit” (SHISH), por ndryshimet më të rëndësishme lidhen me zgjerimin e fushave të monitorimit dhe aksesit në informacion.
Sipas draftit, SHISH do të ketë kompetenca më të gjera për mbledhjen dhe analizimin e informacionit si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij, në funksion të sigurisë kombëtare dhe sfidave globale.
Ndër fushat që futen për herë të parë në fokusin e inteligjencës shqiptare përfshihen:
- siguria ekonomike;
- kërcënimet kibernetike;
- kërcënimet hibride;
- mbrojtja e infrastrukturës kritike dhe strategjike;
- aktivitetet e shërbimeve të huaja inteligjente;
- terrorizmi dhe ekstremizmi;
- krimet kundër mjedisit;
- përhapja e armëve të dëmtimit në masë.
Një nga ndryshimet kryesore është e drejta që SHISH do të ketë për akses në databazat shtetërore, përmes marrëveshjeve ndërinstitucionale me institucionet publike. Ky mekanizëm synon të rrisë kapacitetet e inteligjencës për analizimin dhe ndërthurjen e të dhënave mbi kërcënimet ndaj sigurisë.
Projektligji parashikon gjithashtu masa të reja mbrojtëse për punonjësit e SHISH-it. Ata do të përjashtohen nga deklarimi publik i pasurisë dhe të ardhurave, ndërsa kontrolli financiar i tyre do të kryhet vetëm nga struktura të brendshme të institucionit.
Po ashtu, drafti përfshin trajtim financiar dhe pensione suplementare të veçanta për drejtuesit e lartë të shërbimit, përfshirë Drejtorin dhe Zëvendësdrejtorin.
Ndryshimet ligjore vijnë në një periudhë kur çështjet e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së infrastrukturës digjitale janë kthyer në prioritet për Shqipëri dhe partnerët ndërkombëtarë.
Megjithatë, zgjerimi i kompetencave të inteligjencës dhe aksesi në të dhënat shtetërore pritet të nxisin debat politik dhe juridik mbi balancën mes sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes së privatësisë së qytetarëve.
