Jo vetëm qeveria, por edhe vet universitetet gjatë dekadës së fundit janë bërë pjesë e shkatërrimit të tyre. Këtë e dëshmojnë raportet të shumta që monitorojnë financat e universiteteve publike.
Ajo që vihet re është fakti, se institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri shpenzojnë shumë para për tulla e llaç, paga personeli e luks dhe shumë pak, për të mos thënë aspak, për kërkim shkencor, që është në fakt qëllimi primar i një universiteti.
Universitetet në thelb, janë qendra të mëdha shkencore, ku jo vetëm përgatiten elitat e një shoqërie, por njëkohësisht zhvillohen platformat e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të një vendi.
Në Shqipëri, nocioni i shkencës në universitetet tona duket se nuk ekziston. Të dhënat zyrtare, të paktën ato financiare, tregojnë se universitetet në Shqipëri janë kthyer në njësi të rëndomta shpenzuese për paga personeli e investime në infrastrukturë, ndërsa shumë pak prej buxhetit të tyre shkon për shkencë.
Një raport i OJF-s Qëndresa Qytetare, tregon se gjatë vitit 2022-2023, 7 nga 10 universitetet kryesore në vendin tonë, kanë shpenzuar në total një buxhet prej 87.8 milionë euro. Universiteti me buxhetin më të lartë në vend është universiteti i Tiranës, me rreth 25.7 milionë euro.
