Në ditët e krishtlindjeve hendeku mes të varfërve dhe të pasurve bëhet më i dukshëm. Disa mezi i përballojnë dhuratat, të tjerët rrinë në radhë para dyqaneve luksoze.
14 milionë njerëz në Gjermani konsiderohen të varfër, kurse për një pjesë paratë nuk kanë rëndësi. Kontrasti bëhet i dukshëm sidomos tani në ditët e krishtlindjeve. Këtë e përjetoi këto ditë, Sandra Schlensog. Ajo ka dalë vetëm për të shëtitur nëpër tregun e Krishtlindjeve në Karlsruhe, sepse nuk mund të blinte asgjë, pasi nuk mund t’i përballojë çmimet. “Një palë çorape të thurura me dorë për 15 euro? Kjo është utopike,” thotë 46-vjeçarja, duke e vënë palën që mban në dorë sërish në vend.
Sandra Schlensog merr ndihmën sociale të njohur si “paratë për qytetarin” dhe gjithashtu punon tetë orë në javë në një qendër për të sëmurët mendorë. Me kohë të plotë ajo nuk mund të punojë për shkak të problemeve shëndetësore. Paratë nuk i dalin asnjëherë – por sidomos në kohën e Krishtlindjes e ndjen shumë gjendjen e saj financiare. “Thjesht nuk ka dhurata të shtrenjta,” thotë ajo: “Dhe as në tregun e Krishtlindjeve nuk ka salçiçe skare”.
Çantë dore për 700 euro
Për blerjen e një salçiçeje, askush në “Dorotheen Quartier” të Shtutgartit nuk e vret mendjen. Rruga e njohur e blerjeve në kryeqytetin e landit, Baden-Vyrtemberg me dyqanet e saj elegante ka klientelë të fortë. Tek Louis Vuitton, çmimet për çantat kapin zakonisht katër shifra, megjithatë ende ka radhë para dyqanit gjatë periudhës para krishtlindjeve. Këtu, ndër shumë të tjerë, është edhe Thomas Gudd. Ai dëshiron të blejë një çantë për të dashurën e tij: “Duhet të jetë diçka e veçantë këtë vit”.
