Mazhoranca socialiste ka refuzuar kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar veprimet e zv/kryeministres, njëherësh ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në lidhje me projektin e Portit të Durrësit dhe atë të Porto Romanos.
Ky vendim u mor dje gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, ku Partia Socialiste argumentoi se çështja ndodhet në Gjykatën Kushtetuese dhe hetimi parlamentar do të përbënte ndërhyrje të panevojshme. Ministri për Parlamentin, Taulant Balla, deklaroi se kohëzgjatja e kërkuar nga opozita për hetimin, gjashtë muaj, nuk përputhet me kalendarin parlamentar. “Kthimi në janar, më pas pushimet në mars dhe maj e bëjnë të pamundur këtë proces”, deklaroi Balla, duke theksuar se çështja duhet të lihet në dorë të drejtësisë.
Reagon opozita
Por këto qëndrime kanë shkaktuar reagime të ashpra nga opozita, e cila akuzon mazhorancën për mungesë transparence dhe përpjekje për të fshehur një aferë të përmasave qindra milionë euro. Gazment Bardhi, kryetari i grupit parlamentar të PD, e cilësoi këtë vendim si antikushtetues dhe në kundërshtim me interesin publik. Ai theksoi se refuzimi i hetimit parlamentar synon të fshehë përfshirjen e qeverisë në një skemë korruptive, ku prona publike falet kompanive private për interesa klienteliste.
Opozita kishte paraqitur një kërkesë të detajuar për hetimin e procedurave të miratimit të projektit të marinës së jahteve, shitjes së koncesionit të menaxhimit të portit, dhe ndërtimit të portit të ri në Porto Romano. Në këtë kuadër, ajo ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën se si është menaxhuar procesi, për përfitimet e investitorëve në kurriz të shtetit, dhe për ndërprerjen e kontratës me kompaninë gjermane EMS Shipping Trading GMBH, e cila ka paditur shtetin shqiptar në arbitrazh. Akuzat ndaj zv/kryeministres përfshijnë përfshirjen e saj në një proces tenderimi të manipuluar, ku përfituesit e projektit janë të paracaktuar dhe lidhen me oligarkë vendas dhe kompani ndërkombëtare. Bardhi deklaroi se ky projekt, që fillimisht u prezantua si i financuar tërësisht nga privatët, tashmë rezulton se do të rëndojë buxhetin e shtetit me një kosto prej 1 miliard eurosh.
