Arsimi dhe shëndetësia janë dy sektorë të nënfinancuar në vendin tonë dhe nga ana tjetër në këto kohë kur kapitali njerëzor po shteron nga emigracioni dhe plakja financimi i tyre është jetik.
Por në vend që të rriten fondet për arsimin dhe shëndetësinë u shkurtuan me tej në Aktin e tretë normativ për ndryshimet në buxhetin 2024 që u miratua këto ditë.
Sipas tabelave të mëposhtme buxheti i Ministrisë së Shëndetësie u shkurtua me 2.3 miliardë lekë ose me 3%, ndërsa buxheti i Ministrisë së Arsimit u shkurtua me 1 miliardë lekë ose 2 për qind e programit total.
Pesha e financimeve të arsimit dhe shëndetësisë në raport me buxhetin total po vjen në rënie vit pas viti. Aktualisht fondet e arsimit administrohen nga Ministria e Inovacionit e cila ka në kompetenca arsimin profesional me 3,4 miliardë lekë këtë vit dhe ministria e Arsimit me një fond 51.5 miliardë lekësh sipas ndryshimeve të fundit.
Në total fondet buxhetore për arsimin këtë vit janë 55 miliardë lekë, shumë kjo sa 7.1 % e buxhetit total. Vitin që kaloi shpenzimet për arsimin ishin sa 9.7% e totalit të buxhetit. Shpenzimet e arsimit në raport me të ardhurat në buxhet janë trend rënës që nga viti 2019, ku financimet në ketë zë ishin sa 11.4 për qind e të ardhurave buxhetore.
