Në Shqipëri Gjykata Kushtetuese pritet të dalë me një vendim pas disa ankimeve në lidhje me përkufizimet e Kodit Zgjedhor që bëjnë fjalë për listën e mbyllur prej një të tretash të kandidatëve për deputetë dhe listën me votë parapëlqyese prej dy të tretash. Studiues dhe përfaqësues të partive të reja dhe të vogla thonë se formula e re bën që në parlamentin e ardhshëm rreth 100 nga 140 deputetë, të jenë të emëruar nga dy partitë kryesore. Kjo sipas tyre deformon rregullin kushtetues për zgjedhjen e tyre nga qytetarët, përmes listave të hapura shumemërore me votë parapëlqyese. Kur kanë mbetur afro 5 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve politike, një vendim në favor të ankimuesve do të vinte disa pikpyetje në mënyrën e zgjedhjes së deputetëve.
Në Shqipëri formula e re e zgjedhjes së deputetëve në parlamentin e ardhshëm që pritet të dalë nga zgjedhjet e 11 majit të vitit 2025, po has mjaft kundërshti. Kodi zgjedhor dhe kushtetuta kanë ndryshuar disa herë në një dekadë e gjysmë, kur bëhet fjalë për sistemin zgjedhor. Ndryshimi i debatuar i vitit 2008, solli një sistem zgjedhor proporcional rajonal me prag kombëtar, me lista shumemërore të mbyllura, nga maxhoritar i korrektuar me proporcional që ishte më herët.
