Opozita bllokon sot 6 rrugët e Tiranës, zbardhet skenari i protestës! Ja kur do të nisë dhe sa do të zgjasë tubimi i PD-së

Data

Opozita do të protestojë sot duke bllokuar disa rrugë të kryeqytetit. Tubimi i Partisë Demokratike është planifikuar të nisë në orën 17:00 dhe rrugët që do të bllokohen janë: Rruga pranë Bashkisë së Tiranës, rreth-rrotullimi tek “Zogu i Zi”, tek sheshi “Wilson”, tek “Pallati me Shigjeta”, si dhe kryqëzimi tek “Rruga e Elbasanit”, pranë xhamisë së “Namazgjasë”

Organizatorët e protestës kanë njoftuar Policinë e Tiranës se do të bllokojnë disa akse për rreth 3 orë. Blutë u kanë kthyer përgjigje se Policia e Shtetit garanton çdo tubim paqësor, por jo bllokimin e rrugëve dhe se çdo akt i tillë përbën përgjegjësi penale.

Në përgjigjen e kthyer PD-së, Policia shprehet se në bazë të ligjit “Për tubimet”, organizimi i tubimeve në disa segmente rrugore në Bashkinë Tiranë krijon probleme dhe premisa për cenime të rendit publik dhe sigurisë së shtetasve të tjerë, pengon qarkullimin e automjeteve të emergjencës, cenon të drejtat dhe liritë themelore për lëvizjen e lirë të shtetasve, si dhe pengon lëvizjen e lirë të automjeteve të transportit publik dhe privat në kryeqytet. Për mbarëvajtjen e rendit dhe të sigurisë gjatë protestës, Policia do të përdorë forcat e rendit, të Shqiponjave dhe FNSH.

Po ashtu do të vendosen edhe autobote me ujë për të shpërndarë protestuesit në rast se do të jetë e nevojshme. Opozita i është drejtuar me disa kërkesa qeverisë ku më e rëndësishmja është ajo për qeveri teknike, teksa vendi po i drejtohet zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Kërkesë e cila deri tani është refuzuar nga ana e mazhorancës. Më herët, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është shprehur se protesta e 23 Dhjetorit do të bllokojë Tiranën. Lideri demokrat e konsideron si “mosbindjen civile më të fuqishme që ka parë Tirana ndonjëherë”. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazmend Bardhi postoi dje një video me pamje nga protestat e thirrura nga PD, duke u ndalur veçanërisht në atë që do të mbahet sot në orën 17:00.

“Marshim në Tiranë kundër padrejtësive, kundër varfërisë, kundër vjedhjeve, kundër pushtetit abuziv”, thuhet në videon e postuar nga Bardhi. Në vijim, në mesazhin e postuar nga Bardhi thuhet se më 23 dhjetor marshohet për qytetarët, për rroga më të larta, për pensione dinjitoze, për zgjedhje të lira dhe për qeverinë teknike.

Kurse Sekretar i Përgjithshëm i Partia e Lirisë, Tedi Blushi bëri thirrje për më shumë pjesëmarrje, duke u kërkuar që të gjithë të ngrihem në mosbindje civile. Ai shprehet se asgjë nuk e ndal misionin kombëtar për të shpëtuar vendin. Po ashtu, Tedi Blushi theksoi sot Tirana do të jetë në duart e qytetarëve.

“Nesër,(sot) ora 17:00, Tirana në duart e qytetarëve! Fortifikimi me beton special i bunkerit në Surrel është frika në palcë e Edi Ramës, nga korrupsioni dhe krimet e përbindshme, nga fundi i shpejtë dhe i pashmangshëm. Asgjë nuk e ndal misionin tonë kombëtar për të shpëtuar vendin! Të gjithë në këmbë, në mosbindje civile! Fitorja është më pranë se kurrë!”, shprehet Blushi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related