Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, vazhdon me vendime skandaloze që vendosin në pikëpyetje transparencën dhe ligjshmërinë e përdorimit të fondeve publike, por edhe financimet ndërkombëtare. Një investigim i Ina Media ka treguar se punimet për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës kanë tejkaluar afatin, ndërsa shteti shqiptar ka marrë një tjetër kredi për punime shtesë. Kjo ka çuar në rritjen e kostos: nga 69.6 milionë euro që ishte oferta fituese e shoqërisë italiane INC S.P.A., tashmë kostoja ka arritur në 91.7 milionë, thuajse aq sa kërkuan dy kompanitë e tjera që u skualifikuan. Shtesat miliona eurosh për fonde janë zhvilluar pa garë, me justifikimin e rritjes së çmimeve dhe kostos së punës.
Një pjesë e punimeve kryhen nga kompania shqiptare “Prima Energy”, pa eksperiencë të mëparshme në këtë sektor. Punimet janë ende në proces, ndërkohë që janë akorduar fonde shtesë që së bashku me kontratën fillestare kapin vlerën totale prej rreth 118.3 milionë euro. Këtyre fondeve pritet t’u shtohen edhe kostot për elektrifikimin e linjës hekurudhore Durrës-Tiranë që janë duke u analizuar. Ndërsa autoritetet shqiptare nuk kanë një përgjigje për afatin përfundimtar kur udhëtarët do të mund të përdorin trenin e linjës Tiranë-Rinas-Durrës, BERZH bëri me dije se Hekurudha Shqiptare vlerëson se i gjithë projekti, përfshi edhe elektrifikimin, pritet të përfundojë në fillim të vitit 2026. Megjithatë, për udhëtarët nuk ka ende një stacion ku të mund të presin trenin e linjës Tiranë-Rinas-Durrës.
