Në hetimin pasuror që çoi në prangat e SPAK-ut Ilir Metën një pjesë e mirë e dosjes bazohet te çështja “CEZ-DIA” dhe roli i Presidentit të Partisë së Lirisë në të. SPAK ngre dyshime në dosje se pas marrëveshjes mes çekëve të “CEZ dhe DIA-s” së Kastriot Ismailajt qëndrojnë afera korruptive, ku i përfshirë dhe me rol aktiv është edhe Ilir Meta. Por, për të kuptuar më mirë skandalin CEZ-DIA , SPAK duhet të shkojë drejt hetimit plotësisht të gjithë procesit të privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, ku personazhi kyç që akuzuar publikisht si nyja lidhëse mes interesave personale të pushtetit të asaj kohe me çekët, është Nuel Kalaj. Gazeta “SOT” ka siguruar dosjen nga juristi Romeo Kara, personazhi që fundosi Ilir Metën. Afera CEZ, një prej abuzimeve më të mëdha në historinë e pluralizmit shqiptar, me dëm ekonomik mbi 400 milionë euro, nuk përjashtohet që të hetohet nga Prokuroria e Posaçme.
Detajet
Gazeta ka pyetur juristin se çfarë ka ndodhur me kallëzimin e tij për këtë aferë. Ai thotë se e ka çuar dosjen për rekurs. “Dosja është çuar për rekurs nga ana ime, pasi gjykata e shkallës së parë, me gjykatës Lazer Sallakun, dhe ajo e Apelit pranuan kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për pushimin e çështjes. Ndërkohë, unë kam kërkuar dërgimin e saj për plotësim hetimi në SPAK ose dërgimin e çështjes për gjykim. Ata nuk guxojnë ta dërgojnë atë çështje për gjykim, pasi nuk ka gjykatës që mund t’i nxjerrë palagur ata”, tha ai për gazetën.
Po çfarë ka ndodhur dhe kush janë zyrtarët që rrezikojnë në këtë skemë të madhe korruptive nëse SPAK vendos të hetojë këtë skandal? Romeo Kara, përpos kallëzimit të gjyqtarit Lazër Sallakut, i cili mbylli dosjen me kërkesë të Prokurorisë para disa kohësh, i kërkoi SPAK-ut sekuestrimin të gjithë dosjes CEZ, ku të kallëzuar janë ish-kryeministri Sali Berisha, sekseri kryesor Nuel Kalaj, ish-ministrit Genc Ruli, ish-zëvendësministra, ish-këshilltarë, ish-drejtorë etj.
