Prokuroria e Posaçme ka vendosur të ndajë në dy pjesë dosjen e famshme penale “5D”, duke e bërë gati ta çojë në gjyq me dy grupe të pandehurish. Afati i fundit për dërgimin e dy dosjeve në gjyq është caktuar data 3 shkurt 2025.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se në njërin procedim janë marrë shtatë të pandehur, drejtorët dhe pronarët faktikë të kompanisë së ndërtimit “5D”, ndërsa në çështjen e dytë rezulton të jenë marrë 13 të pandehur, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe zyrtarët e përpilimit të dokumenteve tenderuese
Vendimi për ndarjen e çështjes në dy pjesë mësohet të jetë marrë nga prokurori Klodian Braho, i cili për shkak të numrit të madh të të pandehurve, ka arsyetuar të ndajë këtë çështje në dy dosje të ndryshme me qëllim krijimin e lehtësirave në fazën e gjykimit.
Dosja e parë që tashmë SPAK ka mbyllur hetimet dhe është gati ta çojë në gjykatë, përbëhet nga 7 të pandehur, të cilët janë veçuar, si:
1- Redi Molla, me detyrë ish-Drejtor i Ujësjellësit Tiranë;
2- Mariglen Qato, ish-drejtor në departamentin Mbështetës;
3- Taulant Tusha, ish-drejtor i Punëve Publike në Bashki;
4- Enton Punavija, Drejtor i Drejtorisë së Transportit;
5- Julian Zanaj, Drejtor i Prokurimeve në Bashki;
6- Albano Janku, Drejtor i Planifikimit të Burimeve Njerëzore në Bashki;
7- Nestor Muhamellari, administrator i shoqërisë “5D Konstruksion”.
Akuzat që rëndojnë mbi ish-zyrtarët e Bashkisë së Tiranës janë korrupsion pasiv dhe aktiv, refuzim për deklarim, shkelje të barazisë dhe pjesëmarrjes në tendera.
Ndërsa dy të pandehurat e tjera si Deborah Keçi, me detyrë Drejtoreshë e Klubit Sportiv Tirana dhe Eglantina Zëre, me detyrë drejtoreshë e Drejtorisë së Pastrimit dhe Gjelbërimit, janë bashkuar në dosjen penale që përbëhet nga 13 persona, raporton Ora News.
Kjo dosje ka emrat e 13 zyrtarëve që kanë marrë pjesë në Komisionet të Vlerësimit të Ofertave dhe që kanë qenë pjesë e Drejtorisë së Njësimit dhe Përpilimit të Dokumenteve tenderuese. Ky grup akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelje të pabarazisë në tendera”.
