Aktivitetet e fabrikave të prodhimit të veshjeve dhe këpucëve pësuan rënie të fortë këtë vit në të gjithë treguesit, prodhimit, shitjes dhe pagave.
Sipas të dhënave të INSTAT në tremujorin e tretë të vitit 2024 indeksi i punësimit në industrinë e fabrikave të tekstilit shënoi rënie me 20.8 për qind në krahasim me të njëjtën periudhe të një viti më parë, ndërsa indeksi i pagave në të njëjtën periudhë shënoi rënie me 21
Në fabrikat e këpucëve indeksi i punësimit shënoi tkurrje me 11.4 për qind, ndërsa indeksi i pagave me 10 për qind.
INSTAT ka vonuar publikimin e treguesve të punësimit që nga tremujori i parë i vitit 2024, por indekse të tërthorta tregojnë se punësimi në fabrikat fason ka pësuar rënie rreth 20 për qind këtë vit. Kjo tkurrje ishte lajmëruar edhe më parë nga shoqatat dhe përfaqësues të sektorit.
Në dy vitet e fundit prodhuesit shqiptarë po kalojnë periudhën më të vështirë të dekadës së fundit, ku kombinimi i shumë faktorëve me ndikim negativ e ka bërë të paqartë perspektivën.
Rënia e vazhdueshme e euros, rritja e kostove të fuqisë punëtore dhe kërkesa e dobët në tregjet e jashtme i kanë vënë fabrikat shqiptare në të gjithë sektorët në vështirësi. Më të voglat po falimentojnë dhe shumë të tjera kanë ndryshuar strategjitë duke u përshtatur me situatën e re. Prodhimi për zinxhirët më të lartë të vlerës po aplikohet nga shumë njësi prodhimi për të mbajtur të ardhurat nën kontroll.
Të dhënat e 11 mujorit 2024 tregojnë se eksportet e veshjeve dhe këpucëve shënuan rënie me 16.5 % në vlerë. Rënia e industrisë së fasonit nisi në gjysmën e dytë të vitit 2023 dhe vijoi përgjatë 2023 dhe 2024.
