Kreu i ‘Nismës Thurje’, Endrit Shabani i ftuar në një emision televiziv u shpreh se në Këshillin Bashkiak të Tiranës nuk lejohen celularët dhe kamerat.
Këshilltari bashkiak i ‘Nismës Thurje’ në Bashkinë e Tiranës shtoi se asnjë këshill bashkiak tjetër nuk menaxhohet në mënyrë kaq diktatoriale, duke kaluar vendimet për vetëm 7 minuta.
‘Vetëm buxhet solidariteti nuk është ky. Këshilli bashkiak i Tiranës ka më pak demokraci se Parlamenti i Shqipërisë. Nuk lejohet celulari, nuk lejohen kamerat, nuk lejohet publiku. Është e tmerrshme. Këtë e gjen vetëm tek Duma Ruse dhe tek Asambleja supreme e Koresë së Veriut. Nuk gjen asnjë këshill bashkiak tjetër që menaxhohet në mënyrë kaq autoritare dhe kaq diktatoriale. Ne paguajmë në Tiranë një taksë për infrastrukturën arsimore, është antikushtetuese. E megjithatë janë mbledhur rreth 40 milionë euro nga kjo taksë. 70 milionë euro ja ka dhënë BE, janë rinovuar shkollat dhe asnjë shkollë nuk ka asnjë mensë funksionale. Bashkia kërkon të propozojë 14 milionë lek, pra 0.2% e të gjithë nxënësve që ka Tirana do përfitojnë një ndihmë rreth 200 lek në ditë për ushqimin ndërkohë që ne kemi harxhuar 120 milionë euro për shkollat e Tiranës. Nuk duhej të kishte shkollë pa mensë. Nuk kujdesen për fëmijët, nuk kujdesen për pensionistët, nuk kujdesen për shtresat në nevojë.’
