Votëbesim në Parlament, Scholz kërkon zgjedhje të reja

Data

Kancelari gjerman Olaf Scholz, SPD, kërkoi të hënën, 16 dhjetor 2024, në Bundestag, votëbesimin e Parlamentit Gjerman, për të hapur rrugë për zgjedhjet e reja.  Zgjedhjet e reja janë një hap i nevojshëm për të tejkaluar bllokimin politik aktual, argumentoi Scholz.

Scholz theksoi rëndësinë e një qeverie të qëndrueshme dhe të bashkuar për të adresuar këto çështje, duke shtuar: “Gjermania ka nevojë për vendime të guximshme, dhe këto mund të merren vetëm me mbështetjen e plotë të qytetarëve tanë për një drejtim të ri politik.”

Scholz pranoi se koalicioni tripartiak i qendrës së majtë, i përbërë nga SPD, Të Gjelbrit dhe FDP, kishte qenë sfidues që në fillim. “Ruajtja e këtij koalicioni kërkonte shumë energji, ndërsa përfundimi i tij ishte po aq i vështirë,” tha Scholz. Ai kritikoi ish-ministrin e Financave, Christian Lindner (FDP), për bllokimin e reformave thelbësore në ekonomi dhe infrastrukturë.

Kancelari aktual, i cili kandidon sërish në zgjedhjet e shkurtit, premtoi të përqendrohet te reformat e ushtrisë, përmirësimi i infrastrukturës dhe fuqizimi i ekonomisë gjermane. Ai gjithashtu mbrojti një politikë më të hapur integrimi, duke theksuar rëndësinë e fuqisë punëtore të huaj për ekonominë: “Kush jeton, punon dhe flet gjermanisht, duhet të ketë mundësinë të qëndrojë këtu”, tha Scholz.

Lideri i opozitës Friedrich Merz, njëherazi sfidanti kryesor i Scholz-it, përdori debatin në Bundestag për të sulmuar kancelarin dhe qeverinë e tij. Merz theksoi se Scholz, në 22 nga 26 vitet e fundit, ka qenë bashkëpërgjegjës për qeverisjen në Gjermani dhe për situatën aktuale të vendit.

Merz kritikoi gjendjen e ushtrisë gjermane, duke theksuar se, pavarësisht fondit shtesë prej 100 miliardë eurosh, Bundeswehri vazhdon të jetë në një gjendje të dobët. “Gjermania nuk mund të përballojë një ushtri në këtë gjendje,” tha ai. Ai gjithashtu akuzoi qeverinë për humbjen e konkurrueshmërisë ekonomike dhe përpjekjet e dështuara për një “kthesë epokale”* (Zeitenwende), të cilën e quajti “një epokë pa ndryshim të vërtetë.”

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related