Shqipëria po kalon në një fazë kritike, ku drejtësia dhe pushteti janë bërë objekte të një lufte të vërtetë, të maskuar si një përpjekje për të luftuar korrupsionin. Konspiracionisti dhe teoricieni i njohur, Alfred Cako, zbulon një realitet të errët dhe të thellë, teksa sipas tij, lufta për kontrollin e SPAK-ut është gjithnjë e më shumë një betejë për pushtet dhe jo për drejtësi. Në një prononcimi për gazetën “SOT”, zoti Cako i bën thirrje qytetarëve të kuptojnë se kjo luftë nuk është vetëm mes partive politike, por mes dyshes Rama-Berisha dhe një “Deep State” që po tenton të shtrijë kontrollin mbi të gjithë jetën politike, ekonomike dhe sociale të Shqipërisë. Në zemër të kësaj beteje është SPAK, një mekanizëm që, sipas Cakos, është bërë një mjet i pasivizuar për të kontrolluar dhe shfrytëzuar një sistem që ka shpresuar të pastrohet.
Lufta për drejtësinë nuk është ashtu siç paraqitet në media, si një betejë për të luftuar korrupsionin, por është një përpjekje për të menaxhuar dhe kontrolluar fuqinë e drejtësisë, që ndikon jo vetëm në politikat e brendshme, por dhe në lidhjet ndërkombëtare të vendit. Ndërkohë Alfred Cako, i cili është mendimtar dhe analist i njohur, i hedh dritë një realiteti të padukshëm, ku në thelb, lufta kundër korrupsionit është vetëm një mjet për të ndihmuar në forcimin e ndikimit të fuqive perëndimore, përmes një kontrolli të sofistikuar mbi ekonominë dhe politikat e brendshme të Shqipërisë. Përmes kësaj analize, Cako paralajmëron për një të ardhme të pasigurt, ku ndryshimet e thella në strukturën e pushtetit mund të sjellin pasiguri dhe pasoja të paimagjinueshme për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin e vendit.
Ja reagimi i zoti Cako për gazetën “SOT”
Shiko, ka një luftë mes Deep State dhe dyshes Rama-Berisha për të kontrolluar drejtësinë në Shqipëri. Zgjatimi i Deep State tek ne, SPAKU, lufton që Qeveria Botërore ta kontrollojë gjithë jetën e vendit tonë, politike, ekonomike e financiare nëpërmjet pushtetit të tretë, Drejtësisë. Kjo bëhet në emër të luftës kundër korrupsionit që për ndërkombëtarët përdoret si Lufta e Klasave nga komunistët e PPSH dhe bolshevikët në gjithë Lindjen e Perdes së Hekurt. Lufta kundër Korrupsionit nuk bëhet për të mirën e popullit por për të mos lejuar krijimin e një klase të fuqishme aristokratike në vendet e vogla.
Duket sikur shtetet politike properëndimore funksionojnë mbi zgjedhje demokratike dhe këto shtete gjoja përfaqësojnë vullnetin e shumicës në vendimmarrjet e tyre me organet përfaqësuese kushtetuese. Në fakt qeveritë zgjidhen vertikalisht, nga instrumentat e Qeverisë Botërore që janë qeveritë e shteteve të tilla si angloamerikanët dhe BE. Pra lufta për të kontrolluar drejtësinë është një rebelim edhe ndaj sistemit pasi klasa politike shqiptare kërkon sinarki dhe jo demokraci në aparencë. Sinarki si modeli politik grek ku të dy krahët, pozitë opozitë, kontrollohen nga pak familje prej 2 shekujsh. Ky model krijon një sistem ku ndërkombëtarët nuk sundojnë por negociojnë me aristokracinë vendore dhe shoqëria përfiton më shumë.
