Një tender me vlerë rreth 300 milionë lekë të vjetra, që kishte për objekt “Rehabilitimin e rezervuarit Qilarisht”, është dhënë nga Bashkia Përmet, e drejtuar nga Alma Hoxha, kompanisë G & M CONSTRUCTION 07. Kjo kompani është në pronësi të Maliq Zotkaj dhe Oligert Dyrmishi, ku Maliq Zotkaj rezulton të jetë djali i kryetarit aktual të Bashkisë Poliçan, Adriatik Zotkaj

Fituesi ka konkurruar në partneritet me kompaninë 2T, në pronësi të Artan Sako dhe Dritan Troksi. Kujtojmë se Artan Sako është vëllai i ish-komandantit të Gardës së Republikës, Gramos Sako.

Tenderi u finalizua me një vlerë prej 24,291,841.78 lekë të reja pa TVSH, e cila përkon me gati 100% të fondit limit, që ishte 24,805,385.84 lekë të reja. Edhe pse në garë morën pjesë pesë kompani, dy prej tyre ofruan vlera më të ulëta se fituesi, por nuk u morën në konsideratë nga kryetarja e bashkisë Përmet, Alma Hoxha. Ky fakt ka ngritur dyshime mbi një favorizim të mundshëm, duke sugjeruar se fituesi mund të jetë paracaktuar.
