Ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi mohoi akuzat për pengim të drejtësisë, ndërsa theksoi se nuk është pengesë dhe as nuk paraqet rrezik për askënd në Kosovë në kuptimin politik.
Ai i bëri këto komente të martën gjatë një seance të Gjykatës e Posaçme për krime lufte me seli në Hagë mbi ecurinë e çështjes ndaj tij dhe të tjerëve lidhur me akuzat për pengim të drejtësisë.
“E dini para 4 vjetësh 2020, u ngrit aktakuzë kundër meje vetëm tre muaj para se të rizgjidhesha president i vendit. Tash para 10 ditëve, nxitimthi Zyra e Prokurorit prezantoi aktakuzë shtesë, vetëm dy muaj para zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë. Duhet të sqaroj edhe njëherë, nuk jam pjesë e garës politike, e as s’kam ndonjë ambicie politike, as për president, as për kryeministër as për deputet e as ndonjë ambicie tjetër për ndonjë pozitë publike”.
Në seancën e kësaj të marte, Dhomat e Specializuara kanë marrë vendim për vazhdimin edhe për dy muaj të paraburgimit për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, për aktakuzën për krime lufte, pjesë e të cilës janë edhe Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Në njoftim thuhet se sjellja e Veselit dhe Thaçit përbën rrezik sa që edhe kufizimet dhe monitorimi i komunikimeve në objektin e paraburgimit nuk mjaftojnë për t’i adresuar ato.
Të martën po ashtu nga Dhomat e Specializuara u njoftua se Haxhi Shala dhe Sabit Januzi kanë pranuar akuzën për frikësimin e një dëshmitari dhe pengim, sipas një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
