Në zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen më 11 Maji të vitit 2025, do të garojnë një numër i madh forcash politike, me partitë e vjetra, që disa prej tyre do të jenë në “luftën” për rezistencë, dhe partitë e reja, ku shumë prej tyre i ngjajnë njëra-tjetrës, teksa do të luftojnë për t’u futur në politikën aktive të Kuvendit.
Anëtari i “Lëvizjes Bashkë”, Kristjan Zoto ka bërë një ndarje ku i ndan në 4 grupime forcat politike që do të marrin pjesëë bazuar mbi idetë politike që ato përfaqësojnë.
Në grupin e parë, ai fut “Lëvizjen Bashkë” të drejtuar nga Arlind Qori si të vetme forcë politike në garë që përfaqëson një forcë të majtë progresive, me një vizion të qartë për drejtësi sociale, luftë kundër oligarkisë dhe përfshirje qytetare.
Tek grupi i dytë, futen partitë e djathta konservatore dhe liberale, duke përfshirë Partinë Demokratike, si forcën kryesore të këtij grupi, teksa në këtë grup fut edhe LZHK-në e Dashamir Shehit, si dhe fraksionet e ndara nga PD të cilat kanë krijuar parti të reja si “Mundësia” e Agron Shehajt, “Djathtas” e Enkeljd Alibeajt apo “ShpresOn” e Altin Goxhajt.
Në grupin e tretë fut partitë pa ideologji, të cilat deklarojnë se janë përtej të djathtës dhe të majtës, si Partia Socialiste e shndërruar në “Rilindje” të Edi Ramës apo edhe partitë e reja të Adriatik Lapajt, Endrit Shabanit apo historianes Elena Kocaqi.
