Në Shqipëri, Gjykata e Lartë njoftoi sot hapjen e procedurës për zgjedhjen nga Gjykata e Lartë të anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese me mandat të plotë 9 vjeçar, i cili duhet të zëvendësojë kryetaren aktuale të kësaj gjykate, Holta Zaçajn. Vendimi i Gjykatës së Lartë, vjen një ditë pasi zonja Zaçaj, bëri të ditur publikisht se mandati i saj nuk përfundonte më 10 mars të vitit 2025. Komunikimet zyrtare zbulojnë se zonja Zaçaj ka qenë në dijeni të plotë se mandati i saj përfundon zyrtarisht në 10 mars të vitit të ardhshëm, në ndryshim nga qëndrimi publik i mbajtur prej saj. Të paktën dy njoftime të Gjykatës së Lartë në vitin 2021 dhe 2022 për shpalljen e vakancës, përcaktonin qartë afatin. E po ashtu dhe vetë zonja Zaçaj, në aplikimin për kandidimin e saj, i referohet marsit të vitit 2025 si përfundimi i mandatit për të cilin ajo po përfshihej në garë.
Zonja Zaçaj u emërua si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në janar të viti 2023, duke pasuar në detyrë gjyqtaren Vitore Tusha, mandati i së cilës kishte përfunduar në 10 mars të vitit 2017. Emërimi i saj, përfshihej në skemën e parashikuar në dispozitat kalimtare të Kushtetutës, të reflektuara dhe në Ligjin për organizmin e Gjykatës Kushtetuese, e cila garantonte ripërtëritjen e Gjykatës çdo tre vjet, me nga tre anëtarë.
Pikërisht për zbatimin e ciklit të ripërtëritjes, mandati pasues i zonjës Vitore Tusha u kufizua në 8 vjet, në mënyrë që së bashku me mandatet pasuese të ish anëtarëve Sokol Berberi dhe Vladimi Kristo (të përfunduara në vitin 2016), të krijohej grupi i tre anëtarëve, nga një për secilin organ emërtese, që do zëvendësohen në vitin 2025. “Një zgjidhje e tillë konfirmoi përtëritjen e Gjykatës Kushtetuese si një detyrim kushtetues që prevalon ndaj kohëzgjatjes 9 vjeçare të mandatit të gjyqtarit”, nënvizon Gjykata e Lartë, në njoftimin e sotëm për shpalljen e vakancës, të firmosur nga kryetari i saj Sokol Sadushi.
Zonja Zaçaj, bëri një lëvizje të papritur dje, ndërsa injoroi kuadrin ligjor sipas të cilit ajo ishte zgjedhur, duke e interpretuar vetë, përfundimin e mandatit të saj, jo më 10 mars të vitit 2025, por “bazuar në rregullat e përgjithshme juridike për llogaritjen e afateve, si afat fundor i ushtrimit të detyrës do të duhet të konsiderohet fundi i vitit 2025”. Ndonëse ajo nuk i referohet asnjë baze ligjore për këtë përllogaritje, si argument për mosnjohjen e 10 marsit 2025, ajo përmendi faktin se sipas saj “as dispozita kushtetuese, për rrjedhojë as vendimi i Gjykatës së Lartë për zgjedhjen në detyrë të gjyqtares kushtetuese, nuk ka një datë të përcaktuar për përfundimin e kësaj detyre”.
Por e vërteta duket se qëndron tërësisht ndryshe. Njoftimi i sotëm i Gjykatës së Lartë, zbulon në fakt se kjo gjykatë, kur ka shpallur dy herë vakancën për mandatin pasues të zonjës Tusha, ka përcaktuar dhe kohën e përfundimit. “Në njoftimin e Gjykatës së Lartë të datës 3.06.2021 është përcaktuar se shpallja e vendeve vakante për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese bëhet si më poshtë: “1. Në vendin vakant që krijohet pas largimit të znj. Vitore Tusha (mandati i plotë 9 vjeçar ka mbaruar në vitin 2017), zgjidhet gjyqtari i ri, i cili qëndron në detyrë deri në mars të vitit 2025”. Për shkak të numrit të kufizuar të aplikantëve, edhe në njoftimin e datës 31.01.2022 të ribërë nga Gjykata e Lartë për plotësimin e vendit vakant pas largimit të znj. Vitore Tusha, është përcaktuar shprehimisht: “…Kryetari i Gjykatës së Lartë rishpall thirrjen për plotësimin e vendit vakant të krijuar nga mbarimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, për pjesën e mbetur të mandatit 9 vjeçar, që përfundon në muajin mars 2025”, bën të ditur komunikimi i sotëm i Gjykatës së Lartë.
