I njohur ndryshe si “makina e kuqe te Transballkanikja”, radari automatik i vendosur në hyrjen e Vlorës është kthyer në makthin e shoferëve.
Një punonjës policie, i cili ka shërbyer disa herë pranë këtij radari, tha për “INA Media” se gjatë verës mund të vendosin deri në disa qindra gjoba vetëm gjatë një turni.
“Në ditët me fluks të verës mund të vendosim mes 300 deri 400 gjoba në turn”, – rrëfen ai, duke kërkuar që t’i ruhet anonimati.
Pas daljes nga autostrada, ku shpejtësia e lejuar është 100-120 km/orë, menjëherë në këtë segment ka kufizim shpejtësie deri në 60 km/orë, duke u kthyer në një grackë për drejtuesit e automjeteve. Si pasojë, vizitorët e shumtë të Vlorës gjobiten automatikisht për çdo km të kaluar mbi shënimin e tabelës.
I konsideruar bilanc lufte, në 5 vitet e fundit kanë humbur jetën rreth 1000 persona nga aksidentet rrugore dhe mbi 1200 të tjerë kanë mbetur të lënduar rëndë. Në vitin 2021 u ndërhy në Kodin Rrugor, duke rritur ndjeshëm nivelin e gjobave. Kjo ndërhyrje u servir si një mekanizëm për të disiplinuar drejtuesit e automjeteve, duke sjellë reduktim të numrit të aksidenteve rrugore, si rrjedhojë edhe më pak viktima në rrugë. Institucionet premtuan se kjo masë do të shoqërohej edhe me përmirësim të infrastrukturës rrugore.
Dëshmitë e siguruara në mënyrë konfidenciale vënë në pikëpyetje efektshmërinë e kësaj politike dhe sugjerojnë se gjobat po përdoren si instrument për të mbushur arkën e shtetit, pa krijuar një kulturë sigurie në rrugët e vendit, që është edhe qëllimi parësor.
Punonjës të policisë rrugore thanë për “INA Media” se ka një urdhër verbal, që i detyron ata të vendosin një numër të caktuar gjobash.
Gjatë bisedave informale me efektivë të ndryshëm të Policisë Rrugore, në konfidencialitet, ata flasin për një numër “jo më të ulët se 30 gjoba që duhen vendosur në turn”.
Kodi Rrugor, i miratuar që në vitin 1998, është ndryshuar 13 herë deri më tani. Në vitin 2023 u fut për herë të parë masa e këshillimit, pa gjobë, por me pasqyrim në sistem, me qëllim edukimin e drejtuesve të automjeteve.
Të dhënat zyrtare dëshmojnë se ndërsa gjobat e Rrugores janë katërfishuar, këshillimi është harruar, ndërsa aksidentet kanë shënuar një rritje me 20%.
Sipas INSTAT-it (T2 2024), Shqipëria numëron rreth 914 mijë mjete të llojeve të ndryshme që qarkullojnë në rrugët e vendit. Nga këto, më shumë se 738 mijë janë autovetura, pjesa më e madhe e të cilave lëvizin në rrugët e Tiranës, duke u dyfishuar krahasuar me 10 vite më parë.
“Kemi të bëjmë me një situatë ku ndëshkimi për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor del nga qëllimi kryesor i tij”, – këmbëngulin ekspertët.
