Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ka reaguar lidhur me lajmet e bazuara mbi vendimin e Gjykatës së Lartë për emërimin e saj, se ditën e sotme, (10 Dhjetor 2024), Gjykata Kushtetuese duhet të shpallte vakancën për përfundimin e mandatit të saj si anëtare e institucionit që ajo drejton.
Por, duket se Holta Zaçaj nuk ka ndërmend të largohet nga Gjykata Kushtetuese dhe shprehet se do të qëndrojë në detyrë deri në përfundim të vitit 2025, ku në komunikatën për mediat argumenton si më poshtë.
“Gjykata e Lartë në vendimin e saj nr. 2, datë 16.01.2023 ka deklaruar: “Zgjedhjen e Znj. Holta Zaçaj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese me mandat të pjesshëm deri në kryerjen e ripërtëritjes në vitin 2025.”.
Duke qenë se, as dispozita kushtetuese, për rrjedhojë as vendimi i Gjykatës së Lartë për zgjedhjen në detyrë të gjyqtares kushtetuese, nuk ka një datë të përcaktuar për përfundimin e kësaj detyre, bazuar në rregullat e përgjithshme juridike për llogaritjen e afateve, si afat fundor i ushtrimit të detyrës do të duhet të konsiderohet fundi i vitit 2025.” – thuhet në komunikatën për mediat.
Kryetarja e Kushtetuese deklaron se do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një opinion në lidhje me përfundimin e mandatit të saj, pasi pretendon se data 10 Mars 2017, që i referohet datës në të cilën gjyqtarja Vitore Tusha ka mbaruar detyrën e saj, nuk është përcaktuese për përfundimin e detyrës së Holta Zaçaj si gjyqtare pasuese
