Skandalet e Ballukut nuk kanë fund, 73 mln euro abuzim në kurriz të taksapaguesve brenda dy viteve me TEC-et që…

Data

Një skandal i përmasave të papara me TEC-et lundruese të marra me qira për të prodhuar energji, ka përfshirë korporatën elektro-energjetike shqiptare dhe ministrinë e infrastrukturës dhe energjisë drejtuar nga Belinda Balluku. Ka qenë Partia Demokratike e Vlorës e cila ka denoncuar abuzimin flagrant me paratë publike. Deklarata u bë dje nga kreu i selisë blu lokale Atird Hoxha, nga një prej ambienteve të zonës së Triportit të Vlorës dhe pikërisht në ditën kundër korrupsionit. Korporata Elektro-Energjetike e Shqipërisë, vijon të jetë një shembull i qartë i shpërdorimit të taksapagueseve shqiptarë, për interesa korruptive dhe klienteliste. Çdo ditë kjo kompani i paguan 60 mijë dollarë kompanisë Excelerate Energy për këta dy TEC-e që ndodhen pas shpinës tonë, të cilat kanë mbërritur në qytetin e Vlorës, më shumë se dy vite më parë, por që nuk janë vënë ende në punë”, tha Hoxha.

73 mln euro abuzim

Ai shtoi se sikur kjo të mos mjaftonte, KESH paguan 30 mijë dollarë të tjera, kompanisë italiane Renco, po për këto dy TEC-e. Pra janë në total 90 mijë dollarë çdo ditë, e gjitha kjo për një shumë totale të shpenzuar deri tani, rreth 73 mln euro. “Ky është një abuzim i rëndë, një marrëveshje e mbështjellë me mungesë transparence dhe dyshime të forta për korrupsion. Për çfarë paguhen miliona dollarë nga buxheti i shtetit, për pajisje që nuk prodhojnë asnjë kilovat energji. Kush përfiton nga këto marrëveshje të errëta që rëndojnë mbi kurrizin e qytetarëve shqiptarë.

Këto janë pyetje për të cilat Belinda Balluku, duhet të japë përgjigje menjëherë”, shtoi kreu i PD lokale. Në fund ai i bëri thirrje Prokurorisë dhe KLSH-së të hetojnë rastin menjëherë, pasi është ‘aferë e qartë korruptive”. “Nuk mund të lejohet që buxheti i shtetit, të shërbejë për pasurimin e një grupi individësh në kurriz të interesit publike. Ky skandal duhet të ndalet, përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë dhe fondet publike duhet të përdoren për të mirën e qytetarëve. Ne nuk do të heshtim, do të ndjekim këtë çështje deri në fund, duke kërkuar transparencë, përgjegjësi dhe natyrisht drejtësi”, përfundoi Hoxha.

Afera me Portin e Durrësit

PD gjithashtu dje ka denoncuar dhe mega aferën e Portit të Durrësit ku është implikuar Belinda Balluku dhe e gjithë qeveria e Ramës. Sekretarja për marrëdhëniet me publikun në PD, dega Durrës, Viola Kapidani në një deklaratë për mediat e ka cilësuar atë si grabitjen më të madhe që i është bërë taksapaguesve shqiptarë në tërësi dhe qytetarëve durrsakë në veçanti nga qeveria e Edi Ramës. “Porti i Durrësit, një port mijëra-vjeçar dhe një nga më të vjetrit në Europë, i shtrirë në Adriatik dhe më i madhi në vend me një sipërfaqe mbi 1.4 milionë m² dhe vlerë prej 3.8 miliardë eurosh, iu “dhurua” investitorit Mohamed Alabbar nga Edi Rama dhe Emiriana Sako, në kundërshtim me çdo rregull dhe ligj të shtetit shqiptar. Në realitet, përfituesi i vërtetë i kësaj marrëveshjeje është vetë Edi Rama.

Fillimisht, Edi Rama u zotua publikisht se projekti do të financohej vetëm nga sektori privat dhe se shqiptarët nuk do të paguanin asnjë qindarkë. Por e vërteta është krejt ndryshe. Për ndërtimin e Portit të Ri në Porto Romano, Rama ndryshoi ligjin e prokurimeve dhe, në kundërshtim me ligjin, porositi një projekt që kap vlera midis 1.3 dhe 2 miliardë eurosh. Vetëm për tre vitet e ardhshme, taksapaguesve shqiptarë, nga Vermoshi deri në Konispol, do t’u merren mbi 400 milionë euro. Për më tepër, tenderi për ndërtimin e këtij porti ka dështuar, pasi asnjë kompani nuk ka treguar interes. Kjo është një nga barrët më të rënda financiare që qeveria e Edi Ramës ka vendosur ndonjëherë mbi qytetarët shqiptarë. Me mbylljen e portit ekzistues, do të ndërpriten arteriet strategjike të transportit që e bëjnë sot Portin e Durrësit një nyje kyçe në rajon”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related