Deri në fund të vitit 2023, stoku i investimeve të huaja direkte nga vendet e Bashkimit Europian në Shqipëri arriti në gati 6 miliardë euro. Kjo shifër përfshin investimet totale që janë bërë në vite nga shtete të ndryshme të BE-së.
E dhëna është bërë e ditur në bazën e të dhënave të Eurostat. Vetëm në vitin 2023, investimet e huaja nga vendet e BE-së në Shqipëri ishin 457 milionë euro.
“Monitor” ka krahasuar stokun e investimeve të huaja nga BE në vendet e rajonit, në raport me madhësinë e ekonomisë përkatëse (prodhimin e brendshëm bruto-PBB) për të parë se cili shtet ka arritur të tërheqë më shumë investime në periudhën e tranzicionit.
Nivelin më të lartë të investimeve të huaja e ka pasur Maqedonia e Veriut, stoku i të cilës është sa 29.3% e PBB-së në fund të vitit 2023.
Maqedonia e Veriut ka fituar shpesh garën e investimeve të huaja me Shqipërinë vitet e fundit, duke ofruar një sistem më të thjeshtë fiskal, zona të lira ekonomike, lehtësi tatimore, madje duke reklamuar dhe dalje në det nga Porti i Durrësit. Shumë kompani që tentuan të hynin në Shqipëri vitet e fundit, si kompania amerikane Johnson Control në prodhimin e pjesëve automotive, kanë hapur disa fabrika në Maqedoni.
